Një shtetas shqiptar dyshohet për sulm ndaj policëve në pikën kufitare “Bllacë”

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka iniciuar procedurë kundër një shtetasi të Republikës së Shqipërisë 44-vjeçar, i dyshuar për veprën penale Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së punëve të sigurisë nga neni 383 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“Më 25 gusht, në pikën kufitare “Bllacë e epërme”, i dyshuari ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë të cilët kanë qenë duke kontrolluar dokumentet e udhëtimit me rastin e hyrjes në vend. Nga kontrolli i të dhënave personale në dokumentin e udhëtimit të të dyshuarit rezultoi se ndaj tij ishte lëshuar fletarrest ndërkombëtar nga Interpol-Greqi për krime të kryera – “vrasje, grabitje dhe vjedhje”. Gjatë zbatimit, ai ka filluar të rezistojë aktivisht dhe të tentojë të arratiset, duke i goditur dy policët dhe duke u shkaktuar lëndime trupore. Dy policët e mundën dhe e ndaluan”, njoftuan nga Prokuroria.

Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, duke pasur parasysh se ekziston rreziku që ai të ikë, si dhe të përsërisë veprën penale. Propozimi është pranuar dhe me vendim të Gjykatës Themelore Penale Shkup të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 8 ditësh për veprën penale e cila ndiqet në procedurë të shkurtuar.