Zgjidhja e paqartë: tre opsionet për udhëheqjen e Gostivarit, Preshova sqaron se pse të gjitha janë juridikisht problematike

Komuna e Gostivarit është një rast i veçantë në lidhje me çështjen e emërimit të një përfaqësuesi nga Qeveria, pasi në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale nuk u përmbush kushti për dalje në votime, sqaron Denis Preshova, profesor në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, transmeton Portalb.mk. Sipas tij, situata juridike në Komunën e Gostivarit, pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, përbën konflikt të drejtpërdrejtë ndërmjet Ligjit për Zgjedhjet (LZ) dhe Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (LVL). 

Profesori përmes një postimi në Facebook ka argumentuar se dispozita në Ligjin për Zgjedhjet, sipas së cilës Qeveria duhet të emërojë një përfaqësues (të besuar) të përkohshëm, përbën shkelje të parimit të subsidiaritetit, në kuptimin e tij më të gjerë. 

Denis Preshova, foto nga Gjykata Kushtetuese

Ai thotë se situata juridike në Komunën e Gostivarit, pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, përbën konflikt të drejtpërdrejtë ndërmjet Ligjit për Zgjedhjet (LZ) dhe Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (LVL). 

Profesori Preshova thekson se Gostivari është “rast i veçantë” sepse aktualisht komuna ka ushtrues detyre (u.d.) të kryetarit, i zgjedhur sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, dhe që sipas ndryshimeve të vitit 2024, mandati i tij zgjat deri në zgjedhjen e kryetarit të ri në zgjedhjet e rregullta të para.

“Është me rëndësi të theksohet se një rregull i tillë nuk ekziston për kryetarët ‘e rregullt’ të komunave, sepse Ligji për Vetëqeverisje Lokale nuk përmban asnjë dispozitë që parashikon se mandati i tyre vazhdon deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Aty thuhet qartë se mandati zgjat katër vjet dhe nuk mund të supozohet se ai zgjatet përtej periudhës për të cilën janë zgjedhur”, shkruan Preshova në profilin e tij në Facebook. 

Sipas tij, për ushtruesin e detyrës së kryetarit vlejnë rregulla të ndryshme, dhe ai, në përputhje me LVL, duhet të vazhdojë ta ushtrojë detyrën deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

“Në këtë mënyrë, dispozita përkatëse e LVL hyn në konflikt të drejtpërdrejtë me dispozitën përkatëse të Ligjit për Zgjedhjet, sepse sipas LVL kemi një u.d. kryetar që duhet të ushtrojë detyrën deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, ndërsa sipas LZ, nëse pas raundit të dytë nuk zgjidhet kryetar, atëherë Qeveria emëron të autorizuar për të udhëhequr komunën”, shton tutje në sqarimin e tij Preshova. 

Ai thekson se një nga problemet kyçe është fakti që, sipas dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet, procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, pra janë ende në zhvillim zgjedhjet e para të rregullta në kuptimin e LVL.

Sipas LZ, nëse në raundin e parë nuk përmbushet kushti për dalje në votime, atëherë “përsëritet e gjithë procedura zgjedhore”. Bazuar në këtë, Preshova konstaton se po përsëriten zgjedhjet e para të rregullta dhe, për rrjedhojë, mandati i ushtruesit të detyrës nuk mund të konsiderohet i përfunduar. 

Një tjetër çështje që e problematizon profesori është fakti se u.d. kryetari është zgjedhur nga një Këshill komunal të cilit i ka përfunduar mandati, ndërkohë që është konstituuar këshilli i ri pas zgjedhjeve. 

Ai i referohet nenit 54, paragrafi 6 të LVL, ku thuhet se “anëtarit të këshillit i pezullohet funksioni për kohën sa ushtron detyrën e kryetarit të komunës”. Kjo, sipas tij, nënkupton se, pasi u.d. kryetari duhet të jetë një nga këshilltarët, dhe mandati i tij si këshilltar tashmë ka përfunduar, nuk mund të flitet më për “pezullim të mandatit”, dhe kështu kemi një boshllëk ligjor real. 

“Ky konfuzion është rezultat i ndërhyrjeve të shpeshta dhe të paqëndrueshme në ligje”, nënvizoi Preshova. 

Zgjedhje lokale 2025 në RMV. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Zgjedhje lokale 2025 në RMV. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Profesori vlerëson se dispozita në Ligjin për Zgjedhjet, sipas së cilës Qeveria duhet të emërojë një përfaqësues, përbën shkelje të parimit të subsidiaritetit, të në kuptimin e tij më të gjerë.

“Në këtë mënyrë bëhet një lloj ndërhyrjeje në vetëqeverisjen lokale, e cila është e garantuar me Kushtetutë, sepse, edhe pse ekziston një këshill komunal i zgjedhur dhe funksional, i jepet Qeverisë e drejta të emërojë një përfaqësues të saj”, shkruan Preshova. 

Ai kujton se, sipas kësaj logjike, në zgjedhjet lokale të kaluara, Qeveria i kishte emëruar kryetarët e deriatëhershëm të komunave si të autorizuar të përkohshëm.

Preshova shton se Ligji për Zgjedhjet me këtë dispozitë ndërhyn në një çështje që nuk është objekt i tij, por që rregullohet nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale, i cili trajton organizimin dhe funksionimin e organeve komunale.

“Ligji për Vetëqeverisje Lokale është ligj special për rregullimin e punës së organeve të pushtetit lokal dhe duhet të ketë përparësi ndaj Ligjit për Zgjedhjet”, thekson ai. 

Profesori shtoi se të tria opsionet e mundshme, emërimi i një të autorizuari nga Qeveria, vazhdimi i mandatit të u.d. kryetarit aktual, ose zgjedhja e një u.d. të ri nga këshilli i sapozgjedhur janë juridikisht problematike. 

Sidoqoftë, ai thekson se duhet t’u jepet përparësi opsioneve lokale, dhe se nëse Qeveria vendos të emërojë një përfaqësues, ai/ajo duhet të jetë nga vetë komuna, mundësisht ushtruesi aktual i detyrës ose një anëtar i këshillit të ri.

Preshova paralajmëron gjithashtu se nuk ekzistojnë rregulla të qarta për rastin nëse, në zgjedhjet e përsëritura, përsëri nuk arrihet zgjedhja e kryetarit të komunës, megjithëse mundësia është e vogël, pasi në raundin e përsëritur nuk vlen më kushti për dalje minimale në votime.

“Zgjedhjet që do të përsëriten tani janë rezultat i mosarritjes së cenzusit në raundin e parë, sipas nenit 132-a të Ligjit për Zgjedhje, por kjo dispozitë nuk mund të zbatohet përsëri në rast se as zgjedhjet e përsëritura nuk japin rezultat, pasi nuk parashikohet më kushti për dalje minimale”, sqaron ai. 

Nga ana tjetër edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gostivarit, Valbon Limani, është shprehur se çdo përpjekje për ta zëvendësuar atë me një të autorizuar të emëruar nga Qeveria është e paligjshme.

Limani i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese që të zgjidhë këtë dilemë ligjore dhe të përcaktojë qartë kush do ta drejtojë Komunën e Gostivarit deri në mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura, të cilat dështuan për shkak të daljes së ulët të votuesve.

Kurse deputeti Halil Snopçe ka reaguar ndaj vonesës së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për shpalljen e rezultateve zgjedhore lokale në RMV, duke ngritur dyshime se shtyrja e afatit mund të ketë qenë e qëllimshme dhe e koordinuar me qeverinë. Në një konferencë për media, ai theksoi se me këtë vonesë po rrezikohet që zgjedhjet e përsëritura në komunat Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Zhupë të mbahen në një periudhë kur mërgata nuk është më në vendlindje

Përveç Gostivarit, në raundin e parë zgjedhjet për kryetar komune dështuan edhe në Mavrovë-Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë. 

Kuvendi duhet, brenda 60 ditëve, afati ka nisur nga 12 nëntori 2025, të shpallë zgjedhje të reja në komunat ku procesi dështoi. Në zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune, nuk parashihet kusht për dalje minimale të votuesve.

Kujtojmë se në Gostivar, pjesëmarrja ishte 33.31 përqind, në Vrapçisht 25.18 përqind, në Mavrovë dhe Rostushë 30.31 përqind ndërsa në Qendër Zhupë 21.49 përqind.

Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale 2025 mbajt më 19 tetor ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.