Halil Snopçe me thirrje kryeparlamentarit Gashi: vendos datën e zgjedhjeve para Vitit të Ri, mos i moho votën mërgatës
Deputeti Halil Snopçe ka reaguar sot ndaj vonesës së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për shpalljen e rezultateve zgjedhore lokale në RMV, duke ngritur dyshime se shtyrja e afatit mund të ketë qenë e qëllimshme dhe e koordinuar me qeverinë. Në një konferencë për media, ai theksoi se me këtë vonesë po rrezikohet që zgjedhjet e përsëritura në komunat Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Zhupë të mbahen në një periudhë kur mërgata nuk është më në vendlindje, shkruan Portalb.mk.
Sipas Snopçes, afati 60-ditor për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura ka filluar që nga 29 tetori, dita kur KSHZ shpalli rezultatet përfundimtare të raundit të parë dhe konstatoi se në katër komunat nuk ishte arritur cenzusi. Ai theksoi se pretendimet se afati duhet të llogaritet nga data e përfundimit të procesit zgjedhor janë të pabazuara ligjërisht.
“Afati ligjor fillon nga shpallja e rezultateve përfundimtare, jo nga përfundimi i procesit zgjedhor. Prandaj, zgjedhjet në këto komuna duhet të mbahen më së voni deri në fund të dhjetorit. Nuk ka arsye të pritet deri më 11 janar, siç është lënë të kuptohet”, deklaroi Snopçe.
Deputeti kërkoi nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, që të tregojë “pavarësi dhe guxim institucional”, duke caktuar datën e zgjedhjeve para Vitit të Ri, në mënyrë që procesi të përfundojë brenda afatit ligjor dhe mërgata të ketë mundësi të votojë.
“Zoti Gashi, tregoni madhështi dhe caktoni datën e zgjedhjeve para Vitit të Ri. Është në dorën tuaj të dëshmoni se respektohet ligji dhe se mërgatës nuk i mohohet e drejta e pjesëmarrjes në proceset demokratike”, u shpreh ai.
Snopçe kujtoi se në zgjedhjet e vitit 2021, Komisioni kishte njoftuar qeverinë për përsëritjen e procesit vetëm gjashtë ditë pas përfundimit të raundit të parë, pa pritur përfundimin e raundit të dytë në komunat e tjera. Sipas tij, këtë herë është e pakuptimtë që KSHZ të ketë pritur kaq gjatë për të shpallur rezultatet.
Deputeti gjithashtu ngriti një dilemë lidhur me interpretimin e nenit 132 të Ligjit për Zgjedhje, i cili përcakton përsëritjen e procesit në rast se nuk arrihet cenzusi. Ai tha se ligji nuk e përcakton qartë nëse përsëritja nënkupton nisje të re të procesit me kandidatët ekzistues apo mundësi për kandidatë të rinj.
“Nëse lejohen kandidatë të rinj, atëherë ku qëndron logjika që për ta të mos ketë cenzus? Kjo do të krijonte një situatë të padrejtë, me kandidatë të privilegjuar dhe të tjerë të diskriminuar. Zgjedhjet duhet të përsëriten me të njëjtët kandidatë – vetëm kështu ka logjikë dhe përputhje me ligjin”, tha Snopçe.
Ai paralajmëroi se leja për kandidatë të rinj do ta bënte organizimin teknik të zgjedhjeve praktikisht të pamundur brenda afatit 60-ditor, pasi vetë procedurat ligjore mes kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit mund të zgjasin deri në 30 ditë.
Në fund të deklaratës, deputeti Snopçe apeloi për “respektim të plotë të ligjit dhe barazi të të gjithë kandidatëve”, duke i ftuar institucionet të tregojnë vullnet politik dhe integritet në menaxhimin e procesit zgjedhor.
“Mos e përsërisni gabimin e mëparshëm ndaj mërgatës. Le ta dëshmojmë të gjithë bashkë forcën dhe ndikimin e saj, të paktën në këto katër komuna”, përfundoi Snopçe.
Kabineti i Gashit pas kërkesës së Snopçes: Zgjedhjet në katër komuna do të shpallen sipas afateve ligjore, jo sipas propozimeve individuale
Nga kabineti i kryetarit të kuvendit Afrim Gashi, për Portalb.mk, kanë njoftuar se, kryetari i Kuvendit i shpall zgjedhjet në bazë të afateve ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor e jo në bazë të preferencave personale.
“Baza e dytë për të përcaktuar datën e zgjedhjeve është gatishmëria e KSHZ-së për të realizuar zgjedhjet, dhe në konsultime me këtë organ, me të cilin kryetari i ka zhvilluar dy takime, kemi përcaktuar datën e mundshme e cila është brenda afateve ligjore dhe të cilen do ta bëjmë publike ditëve në vijim”, thanë nga kabineti i kryeparlamentarit Gashi.
Kur do të mbahen zgjedhjet për kryetar të Gostivarit dhe tre komunave tjera?
Sipas afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, përsëritja e zgjedhjeve për kryetarë të Komunës së Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovë-Rostushës dhe Qendër Zhupës pritet të mbahet më së voni në janar 2026.
Në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale 2025, komuna e Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovë Rostushë dhe Qendër Zhupë, nuk arritën pragun (cenzusin) e daljes prej 33,33%, me çka sipas Kodit Zgjedhor duhet të përsëriten zgjedhjet.
Procedurën dhe afatet se si realizohet përsëritja i zgjedhjeve kur nuk arrihet pragu na e sqaron Kodi Zgjedhor në Nenet 132, 132 (a) dhe 134, sipas të cilëve:
Komisioni i Zgjedhjeve në afat prej 15 ditësh nga përfundimi i zgjedhjeve e njofton Qeverinë. Pas pranimit të njoftimit, Qeveria në afat prej 15 ditësh do të emërojë person të besuar për kryerjen e punëve që janë në kompetencë të kryetarit të komunës. Qeveria, më së voni në afat prej 15 ditësh pas ditës së emërimit të personit të besuar, e njofton kryetarin e Kuvendit për shpallje të zgjedhjeve për kryetar të komunës.
Zgjedhjet e përsëritura mbahen jo më vonë se 60 ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, me ç’rast nuk zbatohet kushti i parashikuar i daljes së një të tretës së numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën e votuesve për komunën përkatëse.
Sipas afateve ligjore zgjedhjet pritet të mbahen më së voni në muajin janar 2026.
Kryeministri Hristijan Mickoski javën e kaluar deklaroi se pret që gjatë kësaj jave KSHZ-ka zyrtarisht t’i përfundojë zgjedhjet dhe ta informojë Qeverinë, që më pas ata të vazhdojnë me procedurat tjera.
- LEXO: Qeveria do të caktojë u.d kryetar në komunat e Gostivarit, Vrapçishtit, Qendër Zhupës dhe Mavrovës
Kujtojmë se në Gostivar, pjesëmarrja ishte 33.31 përqind, në Vrapçisht 25.18 përqind, në Mavrovë dhe Rostushë 30.31 përqind ndërsa në Qendër Zhupë 21.49 përqind.
Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale 2025 mbajt më 19 tetor ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.