Saveski deputetëve: Nuk mund të them nëse ka hetim paraprak për Alta Bankën, ligji ma ndalon

Prokurori Publik i Shtetit, Nenad Saveski, i cili ishte një nga dëshmitarët e thirrur në seancën mbikëqyrëse për Alta Bankën SHA Manastir në Kuvend, nuk iu përgjigj konkretisht pyetjeve të deputetëve të pushtetit dhe opozitës nëse institucioni që ai drejton ka hapur ose do të hapë procedurë lidhur me zhvillimet rreth bankës, transmeton Portalb.mk.

Pyetjet drejtuar Saveskit erdhën nga deputeti i LSDM-së, Mile Taleski, dhe kolegu i tij nga VMRO-DPMNE-ja, Brane Petrushevski. Të dyja pyetjet pasqyronin narrativat dhe qëndrimet që dy partitë kanë mbajtur gjatë periudhës së fundit, të cilat janë diametralisht të kundërta.

Saveski u dha të njëjtën përgjigje të dy deputetëve.

“I dëgjova pyetjet e të dy deputetëve dhe mund të jap një përgjigje për të gjitha. Pavarësisht se kush i bën thirrje Prokurorisë Publike të veprojë në një situatë konkrete, Prokuroria Publike vepron në çdo situatë, përfshirë edhe këtë dhe çdo situatë të ardhshme, sa herë që konstaton se ekziston një ngjarje me karakter penal. Nëse konstatohet një ngjarje e tillë, përcaktohet identiteti i kryerësit të veprës penale dhe se për cilën vepër bëhet fjalë. Ky veprim është veprimtaria dhe kompetenca themelore e çdo prokurori publik. Kjo është detyrë e çdo prokurori publik”, tha Saveski.

Ai vërejti se gjatë parashtrimit të pyetjeve, të dy deputetët kishin përdorur një fjalor që ai e cilësoi si politik, duke theksuar se nuk mund të përgjigjej në të njëjtën mënyrë, pasi është jurist dhe prokuror publik.

Ndërkaq, Taleski kërkoi nga prokurori publik i shtetit të përgjigjej konkretisht nëse është formuar lëndë, nëse janë ndërmarrë veprime parahetimore dhe nëse do të shqyrtohet përgjegjësia e mundshme penale e kryeministrit Hristijan Mickoski, guvernatorit Trajko Sllaveski dhe ministres së Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, nëse provat tregojnë përgjegjësinë e tyre lidhur me hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni.

“Kemi një guvernator, një ministre të Financave dhe një kryeministër, të cilët publikisht ia kalojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit se kush ka ditur, kush është dashur të dijë dhe kush nuk ka ditur për hyrjen dhe funksionimin e kësaj banke. Pavarësisht gjithë kësaj, ju deklaroni para opinionit se Prokuroria po e ndjek situatën. Këtë e konfirmuat edhe tani, por thatë se ende është herët të flitet për hetim formal”, tha deputeti i LSDM-së.

Ndërkaq, kolegu i tij nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet, Brane Petrushevski, i drejtoi tri pyetje prokurorit publik, të cilat kishin të bënin me paraqitjet publike dhe komunikatat e LSDM-së dhe kryetarit të saj, Venko Filipçe. Në to, siç tha ai, ishin paraqitur akuza serioze që mund të rrezikojnë të gjithë sektorin bankar në vend. Ai kërkoi nga Saveski të përgjigjej nëse i ka evidentuar këto deklarata, nëse është hapur lëndë lidhur me to dhe nëse po ndërmerren veprime për verifikimin e pretendimeve të paraqitura.

“Unë nuk thashë se është herët për hetim, as nëse ka apo nuk ka hetim. Nëse ka apo nuk ka hetim paraprak, nuk mund të flas, sepse procedura parahetimore është e fshehtë. Mos ma merrni për të keq këtë, sepse kjo është detyra ime dhe unë duhet ta respektoj ligjin. Më vjen keq që të dyja pyetjeve po u përgjigjem me të njëjtën përgjigje”, tha prokurori publik i shtetit.

Nëse keni prova se kryeministri ka dhënë dëshmi të rreme, dorëzojini në Prokurori

Në një pyetje shtesë nga deputeti i LSDM-së, nëse do të ngrejë aktakuzë ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski, për shkak se në seancën mbikëqyrëse kishte dhënë dëshmi të rreme se qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja në vitin 2023 kishte kërkuar vendosjen e marrëdhënieve afariste me Alta Bankën, Saveski tha se, nëse partia ka prova për një gjë të tillë, duhet t’ia dorëzojë Prokurorisë. Ai shtoi se aktakuza ngrihet pas përfundimit të hetimit.

“Më pyetët nëse do të ngre aktakuzë. Nëse e keni fjalën në aspektin institucional, ju kuptoj, por nëse e keni fjalën personalisht, unë nuk zhvilloj hetime dhe nuk ngre aktakuza si person. Por, nëse keni prova për ndonjë vepër penale të kryer, dorëzojini ato në prokurorinë publike kompetente dhe prokurori publik të cilit do t’i caktohet ajo lëndë do të veprojë dhe do të marrë vendimin përkatës prokurorial. Aktakuza ngrihet pas zhvillimit të hetimit. Nëse keni prova, ju lutem dorëzojini në Prokurorinë Publike”, tha prokurori publik i shtetit.

Një pyetje shtesë parashtroi edhe Petrushevski, duke iu referuar çështjes së mëparshme. Ai e pyeti Saveskin nëse, si jurist i lartë dhe prokuror publik i shtetit, konsideron se është e nevojshme të parashikohen vepra penale me të cilat do të sanksionoheshin veprimet e qëllimshme për rrezikimin e stabilitetit të sektorit bankar, si dhe shkaktimi i qëllimshëm i frikës dhe panikut te qytetarët përmes përhapjes së informacioneve publike.

Prokurori u përgjigj se ligjet, përfshirë edhe Kodin Penal, janë në kompetencë të Kuvendit. Duke shprehur qëndrimin e tij personal, ai tha se lajmet e rreme janë problem kudo, ndërsa lidhur me atë nëse për to duhet të kërkohet përgjegjësi penale apo nëse bëhet fjalë për lirinë e shprehjes, Prokuroria Publike mund të japë vlerësimin e saj.

“Nëse ndonjë deputet konsideron se duhet të kodifikohet një vepër e tillë, kjo është e drejta e tij personale… Por, në këtë moment, një mbrojtje e tillë juridiko-penale nuk ekziston në Kodin tonë Penal”, tha Saveski.

Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.

Sipas Bankës Popullore, rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke, prej të cilëve rreth 3.500 nuk kanë kartela bankare. Për këtë arsye, nga 5 nëntori është mundësuar tërheqja deri në 20.000 denarë në sportelin kryesor në Manastir. Administrimi i përkohshëm duhet të sqarojë gjendjen e bankës, ndërsa një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës është gjetja e një investitori të ri.