Punëtorët e MIA-së në protestë paralajmëruese, kërkojnë rritje të pagave

Punonjësit e Agjencisë informative – MIA sot kanë dalë në protestë paralajmëruese me kërkesë për rritje të pagave. Nga aty thonë se prej katër vitesh nuk kanë nivelim të të ardhurave, transmeton Portalb.mk.

Me planin financiar të punës së MIA-së për vitin 2023 janë paraparë mjete për rritje të pagave, ndërsa punëtorët pohojnë se kanë muaj që presin që kjo të futet në rend dite të seancës së Qeverisë.

“Për herë të parë në 25 vitet e ekzistencës së MIA-së, punonjësit janë të detyruar që përmes protestës të kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre. Protesta paralajmëruese e sotme vjen për shkak të qëndrimit injorues të Qeverisë ndaj kërkesave për rritje të pagave sipas marrëveshjes kolektive dhe përafrim me koston e jetesës. MIA ka disa muaj që pret që kërkesa për rritjen e pagave të futet në rend dite të seancës së Qeverisë. Rritja e pagave në MIA është paraparë me planin financiar për vitin 2023, gjegjësisht për këtë nuk nevojiten mjete shtesë nga buxheti. Parakusht themelor për gazetari të lirë dhe profesionale është gjendja stabile socio-ekonomike e gazetarëve dhe mediave”, tha Marina Ilievska në protestën e sotme, punonjëse e MIA-së dhe anëtare e Bordit Ekzekutiv të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Mediave (SPGM) .

MIA për shkak të pagave nën mesatare dhe për shkak të mosmiratimit të punësimeve po përballet me dalje të stafit, paralajmëruan punëtorët në protestën e sotme. Nga aty thonë se përballen me pyetje më “djegëse”, por prioritet i kanë pagat. Ata shpresojnë se situata do të kalohet në favor të tyre dhe nuk do të ketë nevojë për hapa më radikalë.

Nga SPGM-ja, të cilët e përkrahën protestën e sotme, thanë se është e nevojshme të miratohet Ligji për MIA-n, i cili do të prishë “lidhjen” për financimin e raportit qeveri-media.

“Shpresojmë të gjejmë një zgjidhje të përhershme për MIA-në, e cila është në një gjendje vasale ndaj Qeverisë, sepse nga aty vjen buxheti. Ashtu siç arritëm të nënshkruajmë marrëveshje kolektive, shpresoj se shumë shpejt do të ulemi në tavolinë dhe do të diskutojmë Ligjin për MIA-në dhe këta kolegë tanë do ta marrin plotësisht pavarësinë, politikën redaktuese, planifikimin dhe rritjen e pagave të tyre, sepse MIA realizon edhe të ardhura”, tha kryetari i SPGM-së, Pavle Belovski.