PËRTEJ MURIT

Secila provincë e ka të çmendurin e vet. Sipas kodeve të egra të provincës shpallesh i çmendur nëse nuk mendon si shumica. Për provincën, që s’i duron veçantitë dhe përjashtimet, është i çmendur ai që e dëgjon zërin e ndërgjegjes së tij pa u merakosur se ç’thotë bota. Provinca e lejon vetëm njëtrajtshmërinë dhe konformizmin. Pra, përshtatjen me shumicën.

Tema e përplasjes së individualitetit me konformizmin është trajtuar në shumë vepra letrare. Për këtë temë flet edhe tregimi “I çmenduri” nga Khalil Gibrani.

»Në parkun e një çmendine e takova një djalosh fytyrëzbehtë dhe të thelluar në mendime. Teksa rrija ulur në ndenjësen pranë tij, e pyeta: “Përse je këtu?” Ai më shikoi me habi dhe tha: “Pyetja është e çuditshme, por do të përgjigjem. Im atë dëshironte t’i ngjaja atij, xhaxhai im gjithashtu, mamaja dëshironte t’u ngjaja prindërve të saj gjenialë, motra ime ngulmonte të bëhesha marinar, vëllai im dëshironte të bëhesha atlet i famshëm. Mësuesit dhe profesorët e mi të filozofisë, muzikës, logjikës dëshironin të isha kopja e zbehtë e tyre. Prandaj erdha këtu, në këtë botë normale, ku mund të jem ashtu siç dua”. Sakaq u kthye nga unë dhe më pyeti: “A do të ikje për shkak të këshillave të mira dhe njerëzve të urtë?” U përgjigja: “Jo, unë erdha ta vizitoj dikë”. Ai shtoi: “Eh, tani e kam të qartë. Je njëri nga ata që jetojnë në çmendinën atje, përtej murit”«.

Në shoqëritë e mbyllura vlerësohet uniformiteti dhe përçmohet gjithkush që nuk vetëkufizohet nga kodet e provincës dhe të traditës. Mos harrojmë se gjërat e bukura erdhën nga të krisurit, që në fillim u panë me përbuzje.

Që të pranohesh në shoqëritë e mbyllura duhet të bëhesh kopje e zbehtë e të tjerëve. Kjo mënyrë jetese është rëndesë për ata që s’e durojnë konformizmin, prandaj largohen nga vendlindjet e tyre. Largohen jo vetëm për motive ekonomike. Largohen sepse nuk e durojnë jetën uniforme, e cila diktohet nga ata që gjenden “përtej murit”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.