Votim me shumicë në vend të unanimitetit, a do t’i ndihmojë kjo rrugës eurointegruese të Maqedonisë së Veriut?
Maqedonia me lëvizje pas zgjedhjeve lokale?
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se VMRO-DPMNE, do të përgatisë një rezolutë të vetën pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Ai nënvizoi se dokumenti i opozitës së LSDM-së përmban falsifikime historike dhe nuk mbron plotësisht interesat kombëtare maqedonase, duke theksuar nevojën për një qasje të kujdesshme dhe të bazuar në fakte për procesin e integrimit evropian.
“Këtu, ne do ta përdorim këtë rezolutë si bazë dhe përmes komisioneve parlamentare pas zgjedhjeve, do të bëjmë një rezolutë maqedonase, e cila do të synojë mbrojtjen e interesave kombëtare maqedonase. Diçka që, për fat të keq, e kemi parë në të kaluarën që nuk ekziston për LSDM-në. Më vjen keq që ky kryetar i LSDM-së, ashtu si dy paraardhësit e tij, vazhdon në atë rrugë”, tha kryeministri.

Ndërkohë, LSDM-ja, nën drejtimin e kryetarit Venko Filipçe, prezantoi projektrezolutën e saj që përcakton qëndrimet shtetërore dhe kombëtare për vazhdimin e anëtarësimit në BE, duke vendosur edhe afate për miratimin e ndryshimeve kushtetuese pa kërkesa të reja nga Bullgaria. Rezoluta synon të theksojë përkushtimin e vendit ndaj integrimit evropian dhe të përshpejtojë procesin, por përmbajtja e saj u kritikua nga opozita për interpretime të dyshimta historike dhe për mosgarancinë e mbrojtjes së interesave kombëtare.
Zhvillime rreth integrimit evropian pas zgjedhjeve lokale ka paralajmëruar edhe ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, deklaroi se “ekziston një vendosmëri serioze nga kryeministri dhe Qeveria që menjëherë pas zgjedhjeve të ndërmerren hapa konkretë për tejkalimin e mosmarrëveshjes me Bullgarinë”.
- LEXO: Mickoski paralajmëroi rezolutë “të vërtetë” pas zgjedhjeve
- LEXO: LSDM me rezolutë për anëtarësim në BE: Ndryshimet kushtetuese të miratohen deri më 10 shkurt 2026, pa pranuar kërkesa të reja
Marrëdhënie të ngrira me Bullgarinë
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria që nga viti 2017 kanë një Marrëveshje për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim. Megjithatë, në nëntor 2020, Sofja vendosi veto për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Shkupit për shkak të mosmarrëveshjeve për gjuhën, historinë dhe minoritetin bullgar.
Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u arrit një kompromis për kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut, e cila pranoi që në Preambulën e Kushtetutës, përveç komuniteteve ekzistuese, të shtohet edhe komuniteti bullgar. Nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, ndërsa Bullgaria dha një deklaratë të njëanshme me qëndrimin e saj për këtë çështje.
Pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të anëtarësimit. Për të mbajtur të dytën dhe për të hapur kapitujt negociues, parlamenti maqedonas duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese me të cilat bullgarët do të përfshihen në Preambulë.
- LEXO: Kos: Sundimi i ligjit mbetet sfidë kyçe për vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor
- LEXO: Opozita në RMV pretendon se ekziston zgjidhje “win-win” për të mbrojtur interesat kombëtare, qeveria dyshon për qëllimet e sinqerta
- LEXO: Mucunski: RMV aktualisht nuk është gati t’i bëjë ndryshimet kushtetuese që i kërkon Bullgaria
- LEXO: Maqedonia e Veriut nga njëri kontest në tjetrin, pse? Ndërprerja e negociatave drejt BE-së nxjerr boshllëqet e vizionit
