Opozita në RMV pretendon se ekziston zgjidhje “win-win” për të mbrojtur interesat kombëtare, qeveria dyshon për qëllimet e sinqerta
Zhbllokimi dhe parashikueshmëria e rrugës evropiane të Maqedonisë – kryetari i LSDM-së opozitare e ngriti këtë temë në takimet me politikanë në Francë. Filipçe dërgoi një mesazh nga Parisi se ka ardhur koha për pjekuri dhe përgjegjësi politike. Në një video-adresim, ai nuk zbuloi nëse atje e ka paraqitur Rezolutën me “vijat e kuqe” të Maqedonisë kur bëhet fjalë për integrimin evropian të vendit, por theksoi se përgatitja e saj është në fazën përfundimtare dhe zgjidhja është “wi-win” ose fitore për të dyja palet për vendin dhe qytetarë, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate u takua me përfaqësues të Sekretariatit të Përgjithshëm për Çështjet Evropiane, Ministrisë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe anëtarë të parlamentit francez.
“Jam këtu për të promovuar dhe mbrojtur interesin dhe qëndrimet kombëtare të Maqedonisë, në mënyrë që rruga evropiane të mund të vazhdojë në mënyrë aktive, me rezultate dhe me vizion. Me këtë Rezolutë, ne do të ofrojmë një mekanizëm kombëtar për t’u marrë me kërkesat e mundshme joparimore nga Bullgaria gjatë negociatave, nëse ato në ndonjë mënyrë dalin përtej kornizës negociuese dhe lidhen me gjuhën, kulturën, identitetin maqedonas – si vlera themelore që tashmë janë të mbrojtura në disa dokumente evropiane dhe nga vetë korniza”, thotë kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Një përgjigje e shpejtë erdhi nga partia në pushtet. VMRO-DPMNE vlerësoi se ishte e turpshme që kreu i opozitës të mbronte interesat kombëtare, dhe gjithashtu shprehu dyshim se Rezoluta, e cila ende nuk është e njohur për publikun, po plotëson vetëm kërkesat bullgare.
“A është kjo zgjidhje fituese që ne ta ndryshojmë përsëri Kushtetutën, dhe pala tjetër të vazhdojë me kërkesa të reja? A ka garanci të shkruara në këtë zgjidhje fituese të tyre se kjo është kërkesa e fundit e Bullgarisë? A është kjo rezolutë nga LSDM dhe Filipçe në interes të qytetarëve maqedonas apo vetëm plotëson kërkesat bullgare?”, pyet VMRO-DPMNE.
Paraprakisht, kryeministri Mickoski, në fjalimin e tij me rastin e Ditës së Pavarësisë, tha se po e priste me padurim propozimin e LSDM-së për të parë se cilat ishin “vijat e kuqe”. Ai gjithashtu theksoi se pavarësisht ofertës, nuk do të lejonte të luheshin lojëra për çështje të tilla si identiteti dhe e ardhmja evropiane.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.