Maqedonia e Veriut nga njëri kontest në tjetrin, pse? Ndërprerja e negociatave drejt BE-së nxjerr boshllëqet e vizionit

Maqedonisë së Veriut nuk po i ndahen kontestet me fqinjët që në fokus kanë çështjet identitare. Sot jo Greqia, por Bullgaria është barriera e radhës e cila i hap Maqedonisë së Veriut probleme në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Çështjet e historisë, identitetit dhe kulturës, njëjtë si me Greqinë, janë në tavolinë. Qeveria aktuale me sjelljet e saj diplomatike nuk është e orientuar drejtë një zgjidhjeje të menjëhershme që do të thotë afrim drejt Bashkimit Evropian. Këtë për Portalb.mk e konfirmojnë edhe njohës të rrethanave politike dhe diplomatike në vend. 

Sa është i ngjashëm kontesti me Greqinë me kontestin që ka sot Maqedonia e Veriut me Bullgarinë?

Kontesti me Greqinë pati filluar qysh nga pavarësimi i vendit, kur kur Greqia me ngulm insistonte në ndërrimin e emrit dhe flamurit. Me insistimin grek dhe presionin ndërkombëtar, Maqedonia modifikoi flamurin e Verginës (një diell me tetë cepa), i cili nga Greqia konsiderohej simbol grek. Por ndërrimi i emrit nuk kaloi aq lehtë si modifikimi i flamurit. Pala greke, kishte refuzuar edhe propozimet e OKB-së për të ndryshuar emrin e Maqedonisë, pasi që e njëjta nuk dëshironte që në emërtimin e shtetit fare të përdorej fjala Maqedoni. Andaj, OKB-ja ka vazhduar ta quajë Maqedoninë si Ish Republika Jugosllave e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq Greqia e ka quajtur me emrin e kryeqytetit – Shkupi.

Çështja e emrit, ka hapur për Maqedoninë një sërë problemesh tjera, në mesin e të cilave janë edhe eurointegrimet, problemet e identitetit, historisë apo kulturës. 

Me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së, në vitin 2008-të, çështja e emrit në vend që të zgjidhej u përkeqësua edhe më shumë, pasi që në Samitin e Bukureshtit, Greqia vendosi veto për anëtarësimin e Maqedonisë. 

Partia me të cilën, udhëhiqte Nikolla Gruevski, pas vetos së Greqisë, edhe më shumë i ashpërsoi marrëdhëniet me fqinjin jugor dhe kështu për t’i vënë kulminacion konfliktit ai në vitin 2014-të e shpalosi projektin mbi 600 milionë euro “Shkupi 2014-të”, i cili parashihte vendosjen e përmendoreve dhe veshjen e disa ndërtesave me fasadë barok. Në mesin e përmendoreve ishin edhe Aleksandri i Madh dhe Filipi i Dytë, të cilët Greqia i llogarit heronj helen dhe e akuzoi Shkupin për falsifikim dhe vjedhje të historisë dhe kulturës greke. Por pavarësisht kundërshtimit grek, Maqedonia asokohe i vendosi në qendër të Shkupit. 

Negociatat mbetën të bllokuara deri në maj të vitit 2017-të, kur erdhi në pushtet partia majtiste LSDM, në krye me kryeministrin Zoran Zaev.

Pas intensifikimit të bisedimeve, dy kryeministrat u kyçën për t’i zgjidhur dhe çështjet më kompleske dhe të njëjtit arritën marrëveshje, të cilën e nënshkruajtën më 17 qershor të vitit 2018-të në Prespë.

Sipas marrëveshjes Maqedonia do ta ndërronte emrin dhe do të quhej Maqedonia e Veriut, ndërkaq në aspektin e historisë, vendi duhej të hiqte dorë nga heronjtë e lashtë grek, të cilët ishin përvetësuar dhe përshkruar si heronj maqedonas.

Marrëveshja u nënshkrua, por opozita si ajo greke, por edhe ajo në Maqedoni të njëjtën nuk e pranuan dhe e shpallën si tradhti ndaj popullit.

Diçka e ngjashme po ndodh edhe sot në raport me kontestin me Bullgarinë. Nuk ka lëvizje progresive në raport me Bullgarinë që nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e nënshkruar më 2 gusht të vitit 2017. 

Ku është sot RMV?

Sot, kur jemi në vitin 2025, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. 

Por në vend të kultivimit të dialogut palët e përfshira në kontest po ushqejnë elemente tjera. Si fakt marrim debatin e fundit të parlamentit europian kur po miratohej Raporti për Maqedoninë e Veriut.

Në debatin e zhvilluar në PE, eurodeputetët bullgarë akuzuan se politikanët në Shkup po sabotojnë procesin e integrimit evropian. Heqja e termave “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” nga Raporti për progresin e RMV-së ka ashpërsuar edhe më tepër gjuhën politike mes Sofjes dhe Shkupit, duke krijuar një klimë armiqësie. 

Duke mos mjaftuar e gjithë kjo diplomacia bullgare reagoi duke i cilësuar akuzat nga Shkupi zyrtar si jashtëzakonisht fyese dhe armiqësore ndaj vendit të tyre. Reagimi erdhi pas thirrjes së ambasadorit bullgar në Ministrinë e Jashtme të RMV-së ku diplomacia e Maqedonisë së Veriut ia shprehu protestën zyrtare pasi MPJ bullgar Georg Georgiev e quajti kryeministrin e RMV Hristijan Mickoski, kryeministër ”maqedonoverior”.

Pas qëndrimeve të kryediplomatit bullgar Georgiev u deklarua edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

“Thashë që ai djalë u dërgua për të tërhequr vëmendjen time. Nuk mendoj se duhet t’i japim mundësinë dhe ju bëj thirrje juve, mediave. Lëreni atë djalë aty. Kjo është një qeveri që dikush tjetër e drejton në sfond, ata njerëz duhet të punojnë. Dhe i thanë, i dhanë një detyrë, hajde tani, ngacmojeni. Është njësoj si një mi që ngacmon një luan”, tha Mickoski. 

Flamuri i Maqedonisë së Veriut (RMV), Bullgarisë dhe i Bashkimit Evropian (BE). Foto: Oleksandr Filon në Canva
Flamuri i Maqedonisë së Veriut (RMV), Bullgarisë dhe i Bashkimit Evropian (BE). Foto: Oleksandr Filon në Canva

Kujtojmë se me kusht të ndryshimit të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet. 

A mund të kemi zgjidhje me Bullgarinë për një afat të shkurtër?

Murat Aliu, profesor universitar dhe autor i librit “Pushteti, Identiteti dhe Hapësira: Një studim sociologjik politikologjik mbi projektin ‘Shkupi 2014’”, për Portalb.mk ka analizuar nga fushë-studimi i tij kontestet e njëpasnjëshme identitare të vendit tonë, pasojat dhe parashikimin për zgjidhje eventuale.

Murat Aliu, profesor universitar, FOTO: Nga arkivi personal ne FB
Murat Aliu, profesor universitar, FOTO: Nga arkivi personal ne FB

“Fillimisht duhet thënë se ajo që njihet në literaturë si “Çështja maqedonase”, fatkeqësisht edhe sot, një shekull e gjysmë më vonë, ende nuk është mbyllur. Çështja maqedonase, në thelb, ka të bëjë me mohimin ose mosnjohjen e kombit dhe identitetit kombëtar maqedonas, respektivisht me mohimin ose mosnjohjen nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria të disa përbërësve thelbësorë të këtij identiteti, siç janë gjuha dhe e kaluara historike. 

Pas vitit 1944, kur Maqedonia fitoi statusin e njërës prej gjashtë republikave në kuadër të Federatës Jugosllave, dhe meqenëse me Serbinë ndodheshin në kuadër të së njëjtës federatë si republika të barabarta, Serbia hoqi dorë – të paktën në diskursin politik – nga mosnjohja e kombit maqedonas. Megjithatë, “çështja maqedonase” mbeti e hapur, pasi Greqia dhe Bullgaria vazhduan të kontestonin identitetin kombëtar maqedonas: Greqia përmes mospranimit të emrit zyrtar të shtetit dhe trashëgimisë historike e kulturore të maqedonasve të lashtë; ndërsa Bullgaria, përmes mohimit të historisë më të re të kombit maqedonas dhe të gjuhës maqedonase”, tha Aliu.

Duke e parë çështjen në thelb, shton tutje Aliu, kontestet e Maqedonisë me Greqinë dhe Bullgarinë janë, në thelb, të ngjashme. Sepse, siç thekson ai, maqedonasit, veçanërisht e djathta dhe qarqet nacionaliste maqedonase, si qëndrimet e Greqisë ndaj emrit dhe së kaluarës antike, ashtu edhe ato të Bullgarisë ndaj gjuhës dhe historisë moderne, i përjetojnë si një mohim tërësor të identitetit kombëtar dhe si rrezik për vetë ekzistencën e kombit maqedonas. 

“Por, nëse e shohim në mënyrë më sipërfaqësore, kontesti për emrin me Greqinë duket të jetë më “pak i rrezikshëm” dhe më pak problematik për maqedonasit. Kjo për dy arsye: Së pari, edhe pse emri zyrtar i shtetit është pjesë e identitetit kombëtar, ai nuk është elementi i tij përcaktues. Së dyti, Greqia kontestonte një periudhë historike që ka të bëjë me antikitetin – që do të thotë se, ashtu siç u konfirmua edhe me Marrëveshjen e Prespës, ajo e njeh së paku një histori 1300-vjeçare të popullit maqedonas. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, sepse çdo komb ka nevojë për një “rrënjë” të ngulitur thellë në histori. Në fakt, sipas shumë teorive të kombformimit dhe në literaturën përkatëse, një vazhdimësi historike, kohore dhe kulturore prej rreth 15 shekujsh konsiderohet e mjaftueshme për të legjitimuar ekzistencën e një kombi sot dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e tij në të ardhmen. Prandaj, në marrëveshjen me Greqinë, e cila në fund të fundit e pranon një histori të gjatë të maqedonasve që nga mesjeta e hershme e këndej, maqedonasit arrijnë të ruajnë një vijueshmëri identitare që u shërben si bazë legjitimimi historik”, sqaroi Aliu. 

Ai thekson se, nga ana tjetër, problemi me Bullgarinë është ndjeshëm më i dhimbshëm dhe më i ndërlikuar për maqedonasit. 

“Siç dihet, Bullgaria e njeh kombin maqedonas vetëm pas vitit 1945, që nënkupton se e pranon ekzistencën e tij vetëm si një konstrukt i vonë politik, i krijuar brenda kontekstit jugosllav, pa ndonjë rrënjë më të thellë historike apo kulturore. Në narrativën bullgare, ata që sot identifikohen si maqedonas, para vitit 1945 janë konsideruar si bullgarë etnikë. Ky pozicion e mohon çdo formë të autonomisë kulturore, historike dhe gjuhësore të maqedonasve para formimit të Republikës Popullore të Maqedonisë. E parë nga kjo perspektivë, kontesti me Bullgarinë është shumë më i vështirë për maqedonasit, sepse ai prek vetë themelet e identitetit të tyre kombëtar. Nëse pranohet narrativi bullgare, atëherë del se kombi maqedonas është një krijesë e re, me një histori vetëm 70-vjeçare — çka e bën shumë më të brishtë dhe më lehtë të kontestueshëm në planin ndërkombëtar. Mungesa e një vazhdimësie të pranuar historike përbën një cenim serioz për vetë legjitimitetin dhe afirmimin e identitetit kolektiv maqedonas”, shtoi tutje Aliu.

Flamuri i Maqedonise dhe ai i Bullgarisë. Foto: Qeveria e RMV-së
Flamuri i Maqedonise dhe ai i Bullgarisë. Foto: Qeveria e RMV-së

Për profesorin Aliu, rruga e zgjidhjes së problemit me Bullgarinë tashmë është e qartë: zbatimi i obligimeve të marra me nënshkrimin e Kornizës Negociuese me Bashkimin Evropian, konkretisht përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut si pakicë etnike.

“Megjithatë, diskursi politik i qeverisë aktuale nuk lë të kuptohet se një zgjidhje e “lehtë” dhe e shpejtë është në horizont. Përkundrazi, VMRO-DPMNE, përmes një retorike të re dhe më konfrontuese, ka arritur që brenda një viti të përkeqësojë ndjeshëm marrëdhëniet me Bullgarinë, më shumë se ç’kishte ndodhur më parë. Edhe pse disa nga shqetësimet që artikulon VMRO-DPMNE-ja, apo më gjerësisht spektri nacionalist maqedonas, mund të jenë deri diku të kuptueshme, acarimi i marrëdhënieve dhe retorika gjithnjë e më e ashpër e Maqedonisë jo vetëm kundër Bullgarisë, por edhe ndaj vetë Bashkimit Evropian, na bëjnë të kuptojmë se për këtë qeveri, zgjidhja e këtij kontesti nuk është prioritet i menjëhershëm. Duke marrë parasysh këtë dinamikë, një zgjidhje e shpejtë dhe e qëndrueshme e problemit duket gjithnjë e më e pamundur. Rrjedhimisht, kjo nënkupton edhe humbjen e një mundësie të artë për një proces të përshpejtuar të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”, përfundoi Aliu.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut po pret lëvizje nga Bullgaria mbi propozimin për të hartuar një rezolutë të përbashkët që do të konfirmonte veçantinë e identitetit dhe gjuhës maqedonase në Parlamentin Evropian.