Kos: Sundimi i ligjit mbetet sfidë kyçe për vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor
Bashkimi Evropian vazhdon të shprehë shqetësime në lidhje me sundimin e ligjit në vendet kandidate, megjithëse përparimi në këtë fushë është i dukshëm, tha komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, pas Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel kushtuar sundimit të ligjit. Ajo theksoi se rruga drejt anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, do të varet në një masë të madhe nga përparimi në zbatimin e sundimit të ligjit, transmeton Portalb.mk.
Në takim mori pjesë edhe Ministri për Çështjet Evropiane, Orhan Murtezani, i cili vlerësoi se raporti për Maqedoninë e Veriut tregon përparim të vërtetë, por se mbeten sfida që nuk duhen anashkaluar.
“(Ka) ndërhyrje në procedurat gjyqësore, presion të tepruar mbi zyrtarët që hetojnë korrupsionin, si dhe politizim të rregullatorëve të medias. E gjithë kjo është e papranueshme”, tha Kos në konferencën për shtyp pas takimit.
Ajo shtoi se nuk mund të ketë kompromis mbi vlerat themelore dhe se ato do të jenë në qendër të raporteve të zgjerimit të këtij viti.
Marie Bjerre, ministrja daneze e Çështjeve të BE-së që përfaqëson presidencën e Këshillit, kujtoi se kjo ishte hera e dytë që Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme kishte zhvilluar këtë diskutim me vendet kandidate.
“Kjo tregon integrimin e mëtejshëm të vendeve kandidate me BE-në dhe gjithashtu se kjo është diçka që ne e marrim shumë seriozisht”, tha Bjerre.
Përveç sundimit të ligjit, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme diskutoi edhe çështje të tjera, të tilla si përgatitja e takimit të ardhshëm të Këshillit Evropian.
Kos njoftoi se Komisioni, në periudhën e ardhshme, do të paraqesë strategjinë e parë të BE-së për shoqërinë civile për të promovuar dhe mbrojtur OJQ-të në të gjithë Unionin dhe gjithashtu në vendet kandidate.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
- LEXO: Opozita në RMV pretendon se ekziston zgjidhje “win-win” për të mbrojtur interesat kombëtare, qeveria dyshon për qëllimet e sinqerta
- LEXO: Mucunski: RMV aktualisht nuk është gati t’i bëjë ndryshimet kushtetuese që i kërkon Bullgaria
- LEXO: Maqedonia e Veriut nga njëri kontest në tjetrin, pse? Ndërprerja e negociatave drejt BE-së nxjerr boshllëqet e vizionit