Grabitje ari në Gostivar nga katër persona të maskuar dhe të armatosur 

Mbrëmë në Gostivar katër persona të maskuar dhe të armatosur kanë kryer grabitje në një artari, raporton Portalb.mk.  

Siç informon Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, më 10.10.2025, në orën 18:45, në SPB Tetovë, V.P. nga Gostivari ka raportuar se katër persona të maskuar, të armatosur me armë automatike, kanë kryer grabitje në një argjendari pranë tregut të vogël në Gostivar, pas së cilës janë larguar me një makinë “BMW” pa targa.

“Menjëherë është vepruar sipas kallëzimit dhe po ndërmerren masa për gjetjen e kryerësve dhe për zbardhjen e rastit”, njoftoi SPB Tetovë .

Fatmir Rexhepi nga Sektori për Punë të Brendshme – Tetovë sot tha se janë vjedhur rreth 18 kilogramë ar në vlerë prej 1,8 milionë euro.

Vetura e përdorur në grabitjen e mbrëmshme është gjetur e djegur në rrugën drejt Mavrovës. Mjeti është përfshirë plotësisht nga flakët, dhe ka dyshime se grabitësit e kanë djegur qëllimisht për të fshehur gjurmët dhe provat nga grabitja.

Lidhur me grabitjen në Gostivar, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit lëshoi ​​disa urdhra dhe udhëzime gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm me qëllim identifikimin e autorëve.