Vonesa në zgjedhjen e gjykatësit: Vendimi për Ligjin e gjuhëve peng i përbërjes së paplotë të Gjykatës Kushtetuese
Pas shkarkimit të gjykatëses kushtetuese Elizabeta Dukovska, në Maqedoninë e Veriut vonohet zgjedhja e gjykatësit apo gjykatëses së re. Kjo zgjedhje pritet t’i hapë rrugën lëndës për Ligjin për përdorimin e gjuhëve i cili mbetet peng i mungesës së përbërjes së plotë të Gjykatës Kushtetuese. Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu, për Portalb.mk ka sqaruar procedurën e zgjedhjes së gjykatësit të ri, që është i rëndësishëm për vazhdimin e seancës përgatitore ku në rend dite është ligji për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa për gjykatësen e shkarkuar prolongimi i kësaj seance është i palogjikshëm.
“Nëse nuk punohet për çështje politike siç kemi pasur rast që një kohë të gjatë gjykata kushtetuese ka vepruar vetëm me pesë gjykatës, katër gjykatës nuk ishin të zgjedhur. Ajo shërben mbase vetëm për pazare politike. Pasi që s’mund të merreshin vesh pozita dhe opozita- që nuk është në rregull, por është një realitet dhe ashtu veprohet. Prandaj, në rastin konkret, unë nuk shoh ndonjë procedurë të dendur që të ketë zvarritje, siç ka pasur në plotësimin e katër vendeve që ishin vakant në Gjykatën Kushtetuese, parlamenti është efikas dhe mendoj që, edhe për hir të punës së gjykatës, që të mund gjykata të veprojë në përbërjen e plotë të saj, ata duhet të bëjnë zgjedhjen e gjyqtarit, për vendin vakant“, theksoi Kadriu.

Kadriu është i mendimit se para se të fillojë procedura për zgjedhjet lokale edhe çështja e zgjedhjes së gjyqtarit do të përfundojë.
“Unë besoj që për një kohë të arsyeshme, në një afat të arsyeshëm, jo më tepër se dy muaj ta kemi edhe gjykatësin e nëntë”, tha ai, duke shtuar se për këto çështje që janë senzitive është insistuar që gjykata të jetë e kompletuar.
Në rastin konkret, ai shtoi se,me qenë se gjykatësja e deritashme ka qenë e propozuar nga Këshilli Gjyqësor, i njëjti duhet të zhvillojë procedurë në koordinimin me parlamentin që të propozojë kandidat për gjykatës.
“Kandidatin që e propozon Këshilli Gjyqësor i dërgohet kryeparlamentarit dhe kryeparlamentari e shpërndan propozimin te anëtarët e kuvendit dhe caktohet mbledhja për zgjedhjen e gjyqtarit”, sqaroi Kadriu.
Portalb.mk për disa ditë me radhë i është drejtuar me pyetje konkrete Këshillit Gjyqësor, se deri ku është procedura e propozimit të emrit të ri për gjykatës në kushtetuese, por nga ky institucion nuk u përgjigjën.
Këtë pyetje e adresuam edhe te kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski. Por as ai nuk u përgjigj.
Nga ana tjetër, edhe përskaj dyshimeve në opinion se prapa shkarkimit të gjykatëses kushtetuese Elizabeta Dukovska ka ndikimi politike a partiake, ajo ka hedhur poshtë prapavijat dashakeqëse në këtë vendim. Sa i përket seancës përgatitore dhe prolongimit të saj, ajo mendon se është i palogjikshëm prolongimi.
“Unë nuk votoj vetëm dhe nuk vendos vetëm, të gjithë gjyqtarët votojnë për atë propozim, kështu që ai propozim mund të mos pranohet dhe, le të themi, të mbetet i tillë. Së dyti, mendoj se ndoshta koha e vendimit u përdor ose u bë për t’u dukur sikur tani do ta shtyjmë seancën përgatitore, e cila nuk kishte nevojë të shtyhej. Pse – sepse në këtë seancë dëgjohen vetëm mendimet e ekspertëve që u thirrën, dhe vendimi nuk duhet të merret patjetër me nëntë gjyqtarë. Ky është përfundimi i gjykatës për shkak ndjeshmërisë së lëndës, se përbërja e gjykatës duhet të jetë e plotë dhe jo që nuk mund të vendoset me më pak gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, ja edhe në seancën e mëparshme në të cilën propozova të mbahej seancë përgatitore, nuk u mbajt edhe pse ishim nëntë gjyqtarë. A më kuptoni, dhe në rast se do të isha shkarkuar, nuk kishte nevojë të shtyhej seanca përgatitore” tha në intervistën e saj për “360 shkallë”, gjykatësja Dukovska.
Kujtojmë se, gjykatësja kushtetuese Dukovska ishte raportuese mbi nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për gjuhët. Ajo u shkarkua me vendim të Gjykatës Administrative, sipas të cilit Këshilli Gjyqësor ka vepruar në mënyrë të parregullt në vitin 2023 kur zgjodhi Dukovskën. Pasi ajo kishte marrë tetë vota, minimumin e kërkuar për një propozim për kuvendin, këshilli nuk kishte vazhduar tutje me shqyrtimin e kandidatëve të tjerë të regjistruar, përfshirë anëtaren aktuale të Këshillit Gjyqësor, Antoaneta Dimovska. Kjo kishte shkelur parimin e vlerësimit të drejtë dhe të plotë të të gjithë kandidatëve.
Këshilli Gjyqësor duhet të publikojë njoftim të ri për zgjedhjen e një gjyqtari kushtetues nga radhët e gjyqtarëve, të cilin nuk e ka bërë dhe as nuk deklarohet se pse dhe deri ku është ky proces.
Ndryshe, edhe pse ishte paralajmëruar për më datë 19 qershor, seanca përgatitore për Ligjin për Gjuhët nuk u mbajt dhe e njëjta është prolongua r për kohë të pacaktuar, për shkak të shkarkimit të gjykatëses Elizabeta Dukovska dhe moszëvendësimit të saj me gjykatës tjetër.
Lënda e Ligjit për Gjuhët në Kushtetuese u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua në tetor 2024, pasi në pushtet erdhi VMRO-VLEN.
Për këtë aktivizim reagoi BDI-ja opozitare e cila nga 8 deri më 11 dhjetor, bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.
Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.