Ligji për Gjuhët në ngërç: Gjykatës Kushtetuese i mungon kuorumi, seanca përgatitore ende pa datë

Mungesa e numrit të plotë të panelit të Gjykatës Kushtetuese në RMV, vazhdon të jetë arsyeja pse ende nuk është mbajtur seanca përgatitore për lëndën e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve e cila është aktive që nga viti 2019. Kryetari i Kushtetueses, Darko Kostadinovski, është i vetëdijshëm për implikimet serioze që mund të shkaktojë vendimi i tyre. Ai nuk dha afat kohor se kur kjo pikë do të vihet në rendin e ditës, ndërsa shprehet se vendimi kurdo që të merret do të jetë i argumentuar, raporton Alsat.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka asgjë për të fshehur, Gjykata Kushtetuese që është e bindur për argumentet e saj nuk ka asgjë për t’u frikësuar, dhe për këtë arsye të bindë qytetarët, jo politikanët, sepse qëllimi ynë nuk është të bindim politikanët, por të bindim qytetarët se vendimet e marra nga Gjykata Kushtetuese bazohen vetëm në argumente kushtetuese dhe ligjore, pa përkatësi politike, etnike, fetare apo të ndonjë përkatësie tjetër. Ky është qëllimi ynë”, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski.

Kushtetuesja paraprakisht ka miratuar konkluzë me të cilën obligohet që për lëndën e Ligjit të Gjuhëve të miratojë vendim vetëm në rrethana kur përbërja e Gjykatës Kushtetuese është e plotë, respektivisht 9 gjyqtarë. Aktualisht gjykata punon me 8 gjyqtarë pasi dha dorëheqje gjyqtari Goce Naumovski. Procedura për zgjedhjen e gjyqtarit të ri ka mbetur në Komisionin Kuvendor për Zgjedhje dhe Emërime, i cili duhet të propozojë një emër i cili më pas duhet të votohet në seancë plenare.

Megjithatë, procedura e miratimit të vendimit në Kushtetuese mund të zvarritet edhe më tej nëse deri në janar të vitit të ardhshëm nuk vendoset, meqë gjyqtarët Darko Kostadinovski dhe Osman Kadriu përfundojnë mandatin, kështu që gjykata sërish do të punojë me numër gjyqtarësh më të vogël.

Për shkak ndjeshmërisë së çështjes, Kushtetuesja vendosi që përpara se të merret vendimi final nëse do të preken ose jo nene të caktuara të Ligjit të Gjuhëve, ashtu siç kërkohet me 13 iniciativa, të mbahet një seancë përgatitore e cila disa herë u shty. Kujtojmë se edhe pse ishte paralajmëruar për më datë 19 qershor 2025, seanca përgatitore nuk u mbajt. E njëjta u prolongua për kohë të pacaktuar, për shkak të tragjedisë në Koçan si dhe pas shkarkimit të gjykatëses Elizabeta Dukovska dhe moszëvendësimit të saj me gjykatës tjetër. Gjykatësja Dukovska ishte raportuese mbi nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për gjuhët. 

Në seancën përgatitore publike duhet të marrin pjesë ekspertë vendor, përfaqësues të iniciativave, por edhe përfaqësues të Komisionit të Venedikut për të përballur argumentet rreth ligjshmërisë.

Lënda e Ligjit për Gjuhët në Kushtetuese u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua në tetor 2024, pasi në pushtet erdhi VMRO-VLEN. 

Për këtë aktivizim reagoi BDI-ja opozitare e cila nga 8 deri më 11 dhjetor, bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut. 

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të, ai u miratua në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.