Prej vitesh në harresë: Tetova nuk ka shtëpi për pleq, të moshuarit mbeten pa kujdes institucional
Tetova vazhdon të mbetet pa shtëpi të pleqve, pavarësisht nevojës për të. Autoritetet deri më sot nuk i kanë përmbushur premtimet ndaj pensionistëve për një shtëpi të tillë. Nga Komuna e Tetovës thonë se janë të parapara dy lokacione për shtëpi pleqsh, ku njëra nga to vetëm se është në procedurë, por nuk dihet se kur do të përfundojë, shkruan Portalb.mk.
Tetova me rrethinën me vite të tëra është lënë pas dore për sa i përket përkujdesit institucional për të moshuarit të cilët kanë nevojë për strehim dhe për kujdes.
Më problematike janë rastet e të moshuarve të cilët nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë dikë të përkujdeset për to.
Të dhënat e regjistrimit të vitit 2021 tregojnë se numri i popullsisë rezidente në Komunën e Tetovës që janë të moshës mbi 60 vjeç është 15,358.
Megjithatë, së bashku me komunat përreth Tetovës këto numra janë më të larta, që e thekson më shumë nevojën për ndërtimin e shtëpive për pleq.
Para dy viteve, Komuna e Tetovës dhe Qeveria nuk mundën të gjenin gjuhë të përbashkët për këtë projekt.
Ndërsa i pyetur së fundmi nga Portalb.mk se a kanë në plan të realizojnë shtëpi pleqsh në Tetovë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se shtëpi pleqsh, me vendim të këshillit komunal është në plan të ndërtohet te zona e njohur si “Shik Jellak”.
“Në bazë të një vendimi të fundit të Këshillit Komunal, lokacioni i ashtuquajtur “Shik Jellak”, pra që ishte investitori i famshëm aty, është ndryshuar destinimi. Në bazë të vendimit të këshillit, tani më ai lokacion, prona shtetërore do të jetë e destinuar për institucione publike. Një ndër këto institucione publike përfshihet edhe shtëpia e pleqve”, tha Kasami.
Ndërsa ai përmendi edhe një lokacion tjetër ku veç më ekziston procedurë për shtëpi pleqsh, por nuk tregoi se kur pritet të përfundojë.
“Veçmë kemi një procedurë, bashkë me një operator privat, bashkë me Ministrinë e Politikës Sociale, në lokacionin e njohur si Kazerma te Teqeja e Shipkovicës, kemi aplikuar në ministri dhe presim përgjigje, ku në një partneritet mes një operatori privat, komunës dhe ministrisë do të aplikojmë për ndërtimin dhe funksionimin e një shtëpie të pleqve. Edhe në atë lokacion ideja është që të ketë edhe shërbime tjera, por propozimi fillestar dhe aplikimi fillestar është për shtëpi të pleqve”, tha Kasami.
Lidhur me këtë projekt, nga Ministria e Politikës Sociale për Portalb.mk thanë se dokumentacioni për këtë projekt është në proces.
“Shërbimet e ministrisë dhe komunës janë në komunikim të vazhdueshëm me qëllim plotësimin e tij dhe pas përfundimit të tij, do të nënshkruhet marrëveshje për zbatimin e këtij projekti”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale.
Shtëpi për pleq në Tetovë pati premtuar edhe BDI-ja në përbërjen e kaluar parlamentare, megjithatë kjo nuk u realizua.
Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Ministrisë së Politikës Sociale ekzistojnë pesë institucione publike (Shkup, Kumanovë, Prilep, Manastir dhe Berovë) për të moshuarit, ndërsa 44 institucione tjera private të cilat ofrojnë strehim për personat e moshuar, por në Tetovë aktualisht nuk ka as shtëpi publike për pleq dhe as private.
Në rrethinën e Tetovës dhe disa prej komunave përreth në këtë drejtim ka pasur projekte për përkujdesje të të moshuarve në kushte shtëpie, përmes sektorit civil dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale me përkrahje nga Banka Botërore.
Ndryshe, në të gjithë vendin numri i popullsisë rezidente të moshës mbi 60 vjeçare është 440,090.