Kaos te Tregu i Gjelbër në Kumanovë: Komuna nuk e ndërtoi rrethrotullimin, semaforët nuk punojnë (VIDEO)

Komuna e Kumanovës në krye me Maksim Dimitrievskin nuk e ka përmbushur premtimin për ndërtimin e rrethrrotullimit te Tregu i Gjelbër. Kjo pjesë vazhdon të mbetet një ndër pikat më të ngarkuara të qytetit pasi ka lëvizje të madhe të qytetarëve, ndërsa në afërsi ndodhen edhe dy shkolla, ndërkaq nuk punojnë as semaforët. Komuna e Kumanovës hesht në pyetjet gazetareske, shkruan Portalb.mk.

Në një nga pikat më të ngarkuara të Kumanovës, te Tregu i Gjelbër vazhdon kaosi në komunikacion, ku nuk punojnë as semaforët.

Aty kalojnë edhe shumë nxënës pasi në afërsi ndodhen edhe shkolla e mesme “Nace Bugjoni” dhe shkolla fillore “Bajram Shabani”.

Qytetarët kërkojnë zgjidhje për këtë kaos dhe rrezikun që u kanoset nga veturat.

Një banor thotë se kalimi në këtë pjesë të qytetit është veçanërisht problematik në orët e ngarkuara, kur nëpër kryqëzim kalojnë njëkohësisht shumë automjete dhe këmbësorë.

“Është shumë e vështirë të kalosh këtu, sidomos kur ka shumë makina. Ka edhe nxënës që kalojnë çdo ditë në këtë pjesë dhe shpesh duhet të presësh gjatë për të kaluar rrugën. Nëse rrethrrotullimi është planifikuar prej kohësh, nuk është e qartë pse ende nuk ka nisur të ndërtohet. Kjo pjesë ka nevojë për një zgjidhje sa më shpejt”, shprehet një ai.

Shqetësim shprehet edhe për sigurinë e fëmijëve dhe nxënësve që kalojnë çdo ditë në këtë pjesë të qytetit, veçanërisht për shkak të mungesës së një rregullimi funksional të komunikacionit.

“Kaosi këtu është i përditshëm. Kur semaforët nuk punojnë, secili mundohet të kalojë si mundet dhe krijohen kolona e situata të rrezikshme. Nuk mjafton vetëm të thuhet se do të bëhet rrethrrotullim, duhet të shihet edhe puna në terren. Në këtë pjesë kalojnë shumë qytetarë dhe nxënës dhe çdo vonesë në zgjidhjen e problemit e vështirëson edhe më shumë qarkullimin”, tha një qytetar tjetër.

Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në programin e tij me të cilin u rizgjodh në krye të qytetit, premtoi rrethrrotullim për këtë pjesë.

Foto-screenshot nga premtimi i kryetarit të Komunës, Maksim Dimitrievski në Zgjedhjet e fundit lokale
Foto-screenshot nga premtimi i kryetarit të Komunës, Maksim Dimitrievski në Zgjedhjet e fundit lokale

Megjithatë, ky premtim mbetet i parealizuar, në terren nuk është punuar asgjë. Ndonëse në të kaluarën është thënë se projekti bazë është gati.

Ndërkaq të pyetur për mosrealizimin e këtij projekti dhe se kur pritet të realizohet i njëjti, nga Komuna e Kumanovës nuk u përgjigjën.

Nga ana tjetër, edhe problemi me semaforët daton që prej para disa viteve.

Ndryshe, kaosi në trafik në Kumanovë shtohet çdo vit gjazë sezonit të verës dhe dimrit kur vijnë mërgimtarët.