Sofja dhe Shkupi përsëri në krizë besimi: Raporti për RMV-në dhe dënimi i Georgievski ngjallën tensione diplomatike

Marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë tensionuar përsëri për shkak të raportit të Parlamentit Evropian dhe dënimit me kusht të Ljupço Georgievskit, kryetar i ish-klubit bullgar “Ivan Mihajlov” në Manastir. Sofja ka akuzuar Shkupin për përndjekje politike mbi baza etnike dhe për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj qytetarëve me identitet bullgar. Presidenti bullgar Rumen Radev dhe ministri i Jashtëm, Georg Georgievski kanë shprehur mbështetje të plotë për Georgievskin, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe politikisht të motivuar. Ndërkohë, eurodeputetët bullgarë kanë ndërhyrë në raportin e progresit të Maqedonisë në BE, duke kërkuar tërheqjen e komenteve për gjuhën dhe identitetin maqedonas. Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski aankohet për presion politik në rrugën e eurointegrimeve të vendit, ndërsa presidenti Radev nga ana tjetër theksoi se nuk do të ketë kushte të reja për rrugën eurointegruese të RMV-së, raporton Portalb.mk.

Votimi për raportin e progresit të RMV-së në Komitetin e Punëve të Jashtme të PE-së (AFET) u shty, pas ndërhyrjes së eurodeputetëve bullgarë, të cilët ngritën shqetësime për atë që e quajtën “përmbajtje të njëanshme” të raportit dhe përmendjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase në një mënyrë që, sipas tyre, nuk respekton konsensusin evropian dhe marrëveshjet dypalëshe.

Raportuesi i Parlamentit Evropian, Thomas Waitz, u vu në qendër të kritikave të ashpra nga pala bullgare, e cila e akuzoi atë për afërsi të tepruar me Shkupin dhe për mosinkorporim të amendamenteve që lidhen me të drejtat e pakicës bullgare në Maqedoni. Kjo situatë u shoqërua me deklarata të tensionuara politike dhe ndërhyrje diplomatike, ku Sofja e konsideron raportin si tërësisht të pabalancuar dhe të dëmshëm për interesat e saj kombëtare.

Thomas Waitz mohoi akuzat dhe tha se po sulmohet politikisht për shkak se nuk pranoi të ndryshonte pjesë të raportit që njohin identitetin e veçantë maqedonas, gjë që kundërshtohet nga pala bullgare. Ai shtoi se është përballur me kërcënime pasi numri i tij i telefonit u publikua në rrjete sociale të ekstremit të djathtë në Bullgari.

Kjo çështje nxori edhe një herë në pah tensionet historike midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat kanë penguar në mënyrë të përsëritur procesin e integrimit evropian të Shkupit.

Bullgaria prej kohësh ka akuzuar fqinjin e saj perëndimor për pastrim të historisë së përbashkët dhe për mohimin e rrënjëve bullgare të gjuhës dhe identitetit maqedonas. Bullgaria ka përdorur më shumë se një herë të drejtën e vetos për të penguar bisedimet e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, duke kërkuar reforma kushtetuese dhe arsimore si kushte për përparim.

Waitz tha se akuzat filluan pasi ai u kundërvu kur eurodeputetët bullgarë u përpoqën të dobësonin njohjen nga Parlamenti të “identitetit të veçantë maqedonas” në Maqedoninë e Veriut.

Çështja u përshkallëzua shpejt në Sofje, ku zyrtarët kërkuan që raporti të hiqej krejtësisht.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, reagoi duke theksuar se nëse raporti i Waitz nuk miratohet, atëherë “problemi nuk janë bullgarët në Kushtetutë, por vetë identiteti dhe gjuha maqedonase”, duke e cilësuar situatën si sfidë për dinjitetin kombëtar dhe sovranitetin kulturor të vendit.

“Pres që raporti të kalojë më 24 qershor. Por nëse shtyhet përsëri, atëherë qytetarët maqedonas duhet të jenë të vetëdijshëm se problemi nuk janë disa qindra qytetarët, këtu, që janë pjesë e komunitetit bullgar që të jenë në preambulën tonë, por se problemi është identiteti i veçantë shekullor maqedonas dhe gjuha maqedonase. Ky është thelbi, ky është problemi. Çdo gjë tjetër nuk ka të bëjë fare me realitetin”, tha Mickoski.

Qeveria e Mickoskit vazhdon të përsërisë refrenin se vendi është viktimë e kërkesave bullgare duke gjetur kështu arsye për të mos vepruar konkretisht për t’i bërë ndryshimet kushtetuese të cilat janë veçmë në kornizën e negociimit me Bashkimin Evropian.

Drafti i raportit të progresit për vendin për vitin 2023 dhe 2024, i përgatitur nga eurodeputeti Weitz, duhej të ishte në seancën e 4 qershorit të AFET, por u shty për më 24 qershor. Dokumenti thekson nevojën për të ruajtur vrullin dhe vëren se vendi vazhdon të demonstrojë angazhim për integrimin evropian dhe përafrimin me politikat e BE-së. Në të njëjtën kohë, ai bën thirrje për përparim të shpejtë në negociatat dhe zbatimin e ndryshimeve kushtetuese.

Flamuri i Bullgarisë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Flamuri i Bullgarisë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Bullgaria akuzon për gjyqe politike ndaj bullgarëve

Në këtë kontekst të acaruar ndodhi edhe vendimi gjyqësor ndaj Ljupço Georgievskit, kryetarit të ish-klubit bullgar “Ivan Mihajlov” në Manastir, i cili u dënua me një vit burg me kusht për glorifikim të një figure historike të kontestuar.

Ky dënim u interpretua nga Bullgaria si një ndëshkim për vetëidentifikimin si bullgar dhe për mbrojtjen e identitetit bullgar në Maqedoni.

Kryeministri bullgar, Rosen Zheljazkov, ka kërkuar mbështetje nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut. Siç njoftoi qeveria bullgare, Zheljazkov e ka theksuar këtë në takimin me kryetarin e APKE-së, Teodoros Rusopulos.

“Kryeministri Rosen Zheljazkov gjithashtu theksoi rolin thelbësor të APKE-së në fushën e ligjit, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit demokratik. Kryeministri theksoi rolin e rëndësishëm që Këshilli i Evropës duhet të luajë në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit bullgar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Zheljazkov shprehu bindjen se nuk do të lejohet që një forum i lartë si APKE të përdoret për një fushatë antibullgare”, thuhet në njoftim.

Ndërsa tensionet midis dy vendeve rriten, presidenti Rumen Radev dhe ministri i Jashtëm Georg Georgievski pritën banorin e Manastirit, Ljupço Georgievski për takime të ndara në Sofje.

“Deklaratat anti-bullgare të faktorëve kryesorë në Maqedoninë e Veriut janë absolutisht të papranueshme. Një vend që pretendon me zë të lartë se ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në BE po kryen ndjekje penale mbi baza etnike”, tha presidenti Radev.

 

Ministri i Jashtëm, Georgievski i tha banorit të dënuar të Manastirit se Bullgaria e sheh çështjen kundër Georgievskit si një “gjyq të motivuar politikisht”.

“Gjyqet e motivuara politikisht që institucionet shtetërore dhe gjykatat përdorin për të shtypur njerëzit që identifikohen si bullgarë dhe mbrojnë identitetin e tyre janë absolutisht të papranueshme në një vend që pretendon të jetë evropian”, tha Georg Georgievski.

Sipas fjalëve të tij, Bullgaria mbështet Ljupço Georgievskin me “të gjithë forcën e qeverisë së saj, institucionet e saj, përfaqësimin e saj në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Georgiev theksoi se e drejta për vetëvendosje është një parim themelor i Bashkimit Evropian dhe nuk mund të vihet në dyshim.

“Mënyra se si, përmes klubit kulturor dhe përmes aktivitetit tuaj të përgjithshëm, ju mbroni parimet dhe origjinën tuaj është më se e denjë për t’u pranuar nga ne si shtet, për t’u mbrojtur, dhe me këtë ne qëndrojmë plotësisht dhe fort pas jush”, tha ai.

Ljupço Georgievski, nga ana e tij, falënderoi shtetin bullgar për mbështetjen e tij.

“Nuk e pranoj vendimin si turp. Përkundrazi – është një nder për mua të gjykohem si bullgar që mbron bullgarizmin në Maqedoni. Deri vite më parë, ne kërkonim të vërtetonim origjinën tonë bullgare, sot kam një dokument me origjinë bullgare dhe diçka për të cilën nipërit e mi do të jenë krenarë”, tha ai.

Flamuri i Bashkimit Evropian (BE). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Flamuri i Bashkimit Evropian (BE). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Mes tensionesh, a ka shpresa të reja për rrugën eurointegruese?

Mickoski thotë se Maqedonia e Veriut po komunikon me Komisionin Evropian për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Bullgarinë, por presin përgjigje nga Sofja për një takim të mundshëm midis përfaqësuesve zyrtarë të dy vendeve.

“Kemi komunikuar me zyrën e Komisionit Evropian (KE). Ende nuk kemi asnjë përgjigje. Ka një datë të propozuar, le të presim që pala bullgare të komentojë”, tha Mickoski.

Kryeministri më parë deklaroi se presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Koshta ka iniciuar një takim midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Sipas deklaratave të mëparshme, ai do të zhvillohej në margjinat e Samitit të NATO-s në Hagë më 24 dhe 25 qershor. Nga pala maqedonase, përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut do të jetë presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa nga pala bullgare është e sigurt se do të jetë kryeministri Rosen Zheljazkov, megjithëse pritjet ishin se do të ishte presidenti Rumen Radev.

Siljanovska-Davkova tha më 13 qershor se, ndonëse është rregull të takohet me homologun e saj, nuk është problem të flasë edhe me kryeministrin bullgar Rosen Zheljazkov në Samitin e NATO-s në Hagë, duke qenë se është konfirmuar se homologu i saj bullgar nuk do të jetë i pranishëm në këtë ngjarje.

Ndërkohë presidenti bullgar Radev nga Tirana dha shpresa për Maqedoninë e Veriut. Ai tha se nuk bëhet fjalë për marrëdhënie dypalëshe të pazgjidhura, vendosjen e një vetoje ose ndalimin e procesit të integrimit, por për sfida të brendshme që lidhen me të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Ekziston një Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë, Miqësi dhe Bashkëpunim nga viti 2017 dhe ka dy protokolle. Ekziston një kornizë negociuese nga viti 2022, një konsensus evropian i të gjitha shteteve anëtare dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kështu që Bullgaria nuk ka vendosur kurrë dhe nuk do të vendosë kushte jashtë asaj marrëveshjeje, jashtë kornizës negociuese dhe jashtë dy protokolleve”, tha Radev.

Ai theksoi se ekziston një Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë, Miqësi dhe Bashkëpunim nga viti 2017 dhe ai ka dy protokolle.

“Ekziston një kornizë negociuese nga viti 2022, një konsensus evropian i të gjitha shteteve anëtare dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kështu që Bullgaria nuk ka vendosur kurrë dhe nuk do të vendosë kushte jashtë asaj marrëveshjeje, jashtë kornizës negociuese dhe jashtë dy protokolleve”, tha ai.

Megjithatë, ai shtoi se ajo që ata duan të shohin është respektimi i të drejtave të njeriut brenda kornizës së Marrëveshjes.

“Ne duam që gjithçka që është në ato dokumente të respektohet sa më shpejt të jetë e mundur. Bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, presim prej tre vitesh që procesi i pranimit të hapet dhe negociatat me Maqedoninë e Veriut të fillojnë dhe me ndryshime në Kushtetutë. Pyetja ime është pse kjo nuk po ndodh”, tha ai.

Në një konferencë për shtyp, ai arriti në përfundimin se Bullgaria, si një anëtare e BE-së prej kohësh dhe kryetare e ardhshme e kësaj iniciative, mbështet proceset me politikë të jashtme konstruktive në mënyrë që të afrohemi edhe më shumë me integrimin në BE dhe do të jemi një partner konstruktiv dhe përgjegjës në arritjen e një të ardhmeje të përbashkët për të gjithë qytetarët e rajonit.

Siljanovska-Davkova në Samitin e Tiranës tha se një pengesë serioze është bilateralizimi i procesit të integrimit nga vetë fqinjët ballkanikë, përmes abuzimit me të drejtën e vetos, kushtëzimit të identitetit dhe revizionizmit historik, dhe se këto veprime jo vetëm që ngadalësojnë procesin e integrimit evropian, por edhe përforcojnë stereotipat se Ballkani nuk është gati për Evropën.

“Kandidatët për anëtarësim, në vend të solidaritetit dhe një procesi të drejtë, po përballen gjithnjë e më shumë me pengesa për shkak të çështjeve bilaterale. Kështu, në vend të evropianizimit të Ballkanit – po dëshmojmë një trend të rrezikshëm të ballkanizimit të Bashkimit Evropian dhe kjo duhet të ndryshojë, dhe për të mirën e të gjithëve”, tha ajo.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.