Praktika “merr qen, e pastaj braktise“ krijon tufa qensh nëpër rrugët e RMV-së
Mungon vendosmëri te shteti për ta zgjidhur këtë problem
Aktivistët dhe ekspertët janë të mendimit se pronarët e papërgjegjshëm janë fajtorët kryesorë për rritjen e numrit të qenve të rrugës. Te autoritetet, nga ana tjetër, edhe përkundër premtimeve zgjedhore për zgjidhjen e problemit, mungon vendosshmëria rreth zgjidhjeve më adekuate, dënime shumë më të rrepta për braktisjen e kafshës shtëpiake dhe edukim, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Gjashtë vjet po pritet harmonizimi i Ligjit për Mirëqenien e Kafshëve me atë për Kundërvajtje, që do të mundësonte dënime shumë më të larta për mosçipimin e kafshëve shtëpiake dhe vepra të tjera. Procesi i harmonizimit ka pasur pak lëvizje këtë muaj.
Analiza e thjeshtë e grupeve aktiviste në Facebook për strehim tregon se ndërmarrjet e qyteteve për sterilizim po bëjnë betejë sizifiane kundër fluksit të individëve të rinj që ose janë të braktisur, ose të lindur në rrugë.
Më saktësisht, strehimorja NP “Llajka“, e cila vepron në territorin e Shkupit sipas parimit “kap–sterilizo–vaksino–kthe“, në muajin gusht ka trajtuar 101 qen, ose rreth tre në ditë, ndërsa ka strehuar 19 qen. Mirëpo, kjo tempo e punës nuk është e mjaftueshme për përballimin e problemit.
Sipas monitorimit të kryer në vitin 2023 vetëm në Shkup ka pasur mbi 4.000 qen dhe prej tyre gjysma kanë qenë të sterilizuar/kastruar.
Indikacion për numrin e lartë e të vazhdueshëm të qenve në qytet janë publikimet në rrjetet sociale. Për 24 orë në fillim të shtatorit në një grup në Facebook për kafshët shtëpiake BIRN numëroi rreth tridhjetë qen që kanë përfunduar në rrugë, për pjesën më të madhe të të cilëve kërkohet shtëpi.

Gjithnjë e më rrallë do të gjeni ndonjë koment ku dikush thotë që dëshiron t’i strehojë, sepse thjesht ka kaq shumë kafshë endacakë në rrugët e Maqedonisë saqë është pothuajse e pamundur të gjejnë shtëpi në këtë shtet.
Një pjesë e qenve strehohen edhe jashtë vendit, por edhe me tempon më intensive të strehimit të tillë nuk do të çrrënjosej burimi i pashtershëm i qenve të rinj – pronarët e papërgjegjshëm.
“Kur t’i zgjidhim qentë me pronarë, do t’i zgjidhim edhe ata endacakë“, thotë në mënyrë të prerë Tanja Ollollovska Ristevska, inspektore në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Rreziku nga pronësia e papërgjegjshme
Drejtori i NP “Llajka“, Vojisllav Dimitrovski, është në të njëjtën linjë me Ollollovska Ristevskën sa i përket burimit së problemit.
“Problemi buron nga vetëdija seriozisht e ulët e qytetarëve. Prandaj, përveç aktiviteteve të institucioneve, kyç është edukimi që të kemi pronësi më të përgjegjshme,“ tha ai.
Bashkëbiseduesit thonë se shumica e pronarëve nuk i sterilizojnë/kastrojnë kafshët e tyre shtëpiake, disa i lënë të shëtisin pa mbikëqyrje, gjë që çon në çiftëzim me qen të tjerë dhe krijimin e pjellave të reja, të cilat shpesh përfundojnë në rrugë.
Kafshët femra mund të mbeten shtatzëna që në moshën gjashtëmuajshe. Shtatzënitë e qenve zgjasin rreth nëntë javë dhe shpesh lindin nga pesë-gjashtë qen në një shtatzëni, të cilët për gjashtë muaj edhe vetë do të mund të çiftëzohen.
Kjo do të thotë se problemi me kafshët e rrugës multiplikohet shumë shpejt dhe për një vit, duke filluar nga vetëm një individ mund të krijohen dhjetëra qen të rinj.
Pronësia e papërgjegjshme rrallëherë dënohet me të vërtetë.

Me ligjin ekzistues dënimi për mosçipimin e kafshëve shtëpiake ka qenë 15 euro, ndërsa nga ky vit është 100 euro.
“Baza me të cilën do të zgjidhej problemi është çipimi i kafshëve shtëpiake, gjë që nga viti 2018 është obligim ligjor, por, në fakt, nuk po bëhet aq sa duhet,“ tha Ollollovska Ristevska.
Kjo masë është kyçe sepse në mikroçip shënohen të dhënat për pronarin e qenit dhe në këtë mënyrë nëse ndonjë qen kapet në sipërfaqe publike, pronari do të mund të dënohet lehtësisht për atë vepër.
Nga AUV e kanë dërguar propozim-ligjin deri te Ministria e Bujqësisë para rreth pesë muajsh. Kah mesi i shtatorit propozim-ligji është kthyer përsëri te Agjencia me vërejtje.
“Nëse miratohet Ligji i ri për Mirëqenien e Kafshëve, për qenin e paçipuar nuk do të jepet më masa e edukimit të pronarit, por dënim prej 2.000 eurosh,“ thotë Ollollovska Ristevska.
Ajo thotë se me ligjin e ri do të rriteshin dukshëm dënimet për keqtrajtimin e kafshëve dhe braktisjen e kafshës shtëpiake.
Sterilizimi/kastrimi i kafshëve shtëpiake do të jetë i obligueshëm dhe do të ndalohej çiftëzimi i qenve, përveç për mbarështuesit e regjistruar që do t’i kontrollonte AUV-ja, sqaron inspektorja.

Aktivistja dhe ish-drejtoresha e NP “Llajka“, Radmilla Pesheva, është e mendimit se në ligjet që e trajtojnë mbajtjen e kafshëve shtëpiake duhet të shtohet nen për regjistrim të obligueshëm – mikroçipim të qenve, para se ata të vihen në çfarëdo lloj lëvizje, shitje apo dhurim, domethënë para ndryshimit të pronësisë.
Pra, ata duhet të vijnë nga një objekt i regjistruar dhe nga një nënë e regjistruar, që t’u dihet prejardhja. Ajo është e mendimit se për këtë në sistemin e kontrollit do duhet të përfshihen edhe stacionet veterinare.
Me fjalë të tjera, ideja është që nuk guxoni të merrni apo të blini, e as të tjetërsoni apo të shisni një qen që paraprakisht nuk është i regjistruar.
Ideja është që veterinerët t’i paraqesin rastet e pjellave të paregjistruara te veterinerët zyrtarë shtetërorë, domethënë te AUV-ja dhe raste të tilla të dënohen ashpër, sepse, sipas saj, problemi na vjen vetëm dhe vetëm nga pronarët e papërgjegjshëm.
Infrafrastrukturë e pamjaftueshme
Në mungesë të dënimeve të larta NP “Llajka“ dhe ndërmarrjet e tjera publike vazhdimisht “po shuajnë zjarre“ dhe po përballen me pasojat e pronësisë së papërgjegjshme.
Në NP “Llajka“ shumica e bokseve, të cilat do të duhej të shfrytëzoheshin përkohësisht për qentë e rrugës që i nënshtrohen trajtimit, në fakt janë të zëna nga kafshët e braktisura apo të konfiskuara, të cilat nuk mund të përshtaten në rrugë, duke i reduktuar kështu kapacitetet e strehimores.
Shembull i tillë janë qentë vëlla e motër të racës Staford, të cilët u konfiskuan sepse mbaheshin të mbyllur në dollap. Tashmë për disa vite ata qëndrojnë në boks në vend se të jenë në shtëpi të vërtetë.
Edhe pse në strehimore ka vend për rreth 170 qen, Dimitrovski thotë se tani disponon vetëm me 50-60 bokse të lira. Ndërsa intensivisht po promovohen qentë që nuk mund të kthehen në rrugë, me qëllim që të lirohen më shumë vende.

Përndryshe, trajtimi në NP “Llajka“ do të duhej të zgjaste maksimum 15-20 ditë, sqaron drejtori.
“Kjo është kështu që qentë të mund të kthehen në lokacion para se ta humbasin territorin e tyre dhe që të mundësohet kohë e mjaftueshme që ata potencialisht të strehohen,“ thotë ai.
Problem shtesë për të cilin qytetarët shpesh ankohen është se befas shfaqen tufa qensh që më parë nuk kanë qenë në lagjet e tyre.
Drejtori Dimitrovski këtë dukuri e quan “turizëm i qenve“, gjegjësisht dislokim i qenve nga mjediset rurale dhe nga qytetet e tjera.
“Për këtë arsye në qendër të qytetit mund të shohim edhe qen sharri dhe aziatikë, të cilët me siguri janë sjellë nga ndonjë vend tjetër sepse ne natyrshëm nuk i kemi këtu,“ thotë ai.
Qentë e dislokuar janë të çorientuar, jashtë territorit të tyre dhe në kërkim të ushqimit në terren të panjohur. E gjithë e kjo rrit probabilitetin që të shkaktojnë incidente dhe prandaj ata paraqesin rrezik të veçantë për qytetarët.
Dimitrovski thotë se dëshmi për ekzistencën e kësaj praktike është edhe hulumtimi nga viti 2024/2025, në të cilin ai ka punuar së bashku me Shoqatën Ekologjike të Maqedonisë (MED) në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës si dhe në kalimin e Strazhës, ku ata kishin për qëllim të sterilizonin/kastronin të paktën 75 përqind të qenve, e pastaj të bënin monitorim çdo 3 muaj.
Rreth liqenit të Mavrovës 3 muaj pas aksionit përqindja e sterilizimit ishte 72,2 përqind, ndërsa në monitorimin e radhës përqindja ra në 62 përqind dhe në monitorimin e fundit ishte 52 përqind.

Këto rezultate, si dhe bisedat me banorët lokalë, të cilët pretendonin se vazhdimisht po sillen qen që nuk janë autoktonë për rajonin, treguan se përqindja e qenve të pasterilizuar mund të rritet vetëm nëse ndodh dislokimi i qenve.
Kjo praktikë mbetet e padënuar dhe është vetëm edhe një pasojë tjetër e pronësisë së papërgjegjshme.
“Zgjidhja përbëhet nga tri gjëra kyçe: miratimi i ligjit të ri, çipimi masiv i kafshëve shtëpiake dhe sterilizimi,“ përfundon inspektorja Ollollovska Ristevska.
Për strehimore shtesë do të duhet të pritet
Në programin e tij zgjedhor kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, premtonte rritjen e kapaciteteve të NP “Llajka“ përmes ndërtimit të një objekti të ri.
Në përgjigje me shkrim për BIRN nga Qyteti i Shkupit thonë se po zhvillojnë bisedime me komunat e Shkupit “për përzgjedhjen e një lokacioni adekuat“ dhe se presin që ndërtimi të përfundojë për “të paktën 2,5 vjet.“
Krahas qenve në këtë objekt planifikohet të vendosen edhe mace, por edhe të shërbejë “për ndihmën e parë dhe vendosje afatshkurtër të kafshëve të braktisura, të rrezikuara dhe të egra.“
Në program Gjorgjievski premtonte edhe bashkëpunim me shoqëritë veterinare përmes të cilave do të sterilizoheshin/kastroheshin një numër më i madh qensh.
“Këshilli i Qytetit të Shkupit miratoi nëntë milionë denarë për shërbime veterinare të disperzuara, me çka në sistemin për trajtim human do të përfshihen edhe shoqëritë private veterinare“, thonë nga Qyteti i Shkupit edhe se në këtë mënyrë do të mund t’i nënshtroheshin trajtimit human edhe 500 qen shtesë.
Përveç kësaj NP “Llajka“ prej vitesh ka problem me financimin sepse komunat e Shkupit shpesh nuk i përmbushin detyrimet e tyre. Nga Qyteti i Shkupit thonë se ka “dinamika të dakorduara për pagesën e borxheve të prapambetura“, por se komunat ende u detyrohen shuma të konsiderueshme.
Në ueb-faqen Financat e Hapura shihet se këtë vit komuna të caktuara, si Gjorçe Petrov dhe Kisella Voda, kanë kryer nga disa pagesa ndaj NP “Llajka“ brenda të njëjtit muaj, që do të thotë se pagesa e borxheve ka filluar.
Aktivistja Pesheva është e mendimit se duhet të mendohet për tatim mbi qentë e pasterilizuar dhe të pakastruar, sepse këta qen janë problem potencial komunal, e në këtë mënyrë komunat do të siguronin mjete për zgjidhjen humane të problemit me qentë endacakë dhe për ndërtimin e strehimoreve.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se po mendojnë për vendosjen e taksës për kafshët shtëpiake, por se fillimisht duhet bërë “një analizë serioze dhe një kornizë ligjore adekuate.“
Përveç kësaj, problem shtesë janë burimet njerëzore. Në të gjithë territorin e shtetit punojnë vetëm 45 inspektorë të AUV-së të ngarkuar për mirëqenien e kafshëve, puna e të cilëve i përfshin edhe kafshët shtëpiake bujqësore.
Prandaj, inspektorja Ollollovska Ristevska është e mendimit se në Agjenci duhet të ketë të paktën pesë inspektorë, puna e të cilëve do të ishte e fokusuar ekskluzivisht te kafshët shtëpiake.
Ndërsa me ligjin e ri do t’u jepeshin kompetenca për t’u përfshirë në këtë punë edhe inspektorëve komunalë.
Nga Qyteti i Shkupit thonë se po e shqyrtojnë modelin për Polici të Kafshëve dhe thonë se “duhet të shfrytëzohen maksimalisht mekanizmat ekzistues përmes inspektorëve të AUV-së dhe inspektorëve komunalë lokalë.“