VMRO-DPMNE të hënën do të dorëzojë parashtresë deri te Gjykata Kushtetuese për shfuqizim të ligjit për dokumente personale

Lidhur me pasaportat, të hënën do të dorëzojmë parashtresë deri te Gjykata Kushtetuese për shfuqizim të ligjit. Gjykata Kushtetuese nëse dëshiron ta zgjidhë punën, mundet që menjëherë të konvokojë seancë dhe të bisedojë për parashtresën që do ta dorëzojmë dhe ta shfuqizojë dekretin ligjor, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, njofton Portalb.mk.

“Por, kjo megjithatë është vendim i Gjykatës Kushtetuese. Nuk do të doja të përzihem në punën e Gjykatës Kushtetuese. Nëse dëshirojnë t’ju ndihmojnë qytetarëve, ja mënyrë se si mund të ndihmohen. Kështu që, problemin e kanë bërë, ne ofrojmë zgjidhje për shkak se jemi parti politike e përgjegjshme dhe shtetformuese”, u përgjigj ai në pyetjen e gazetarëve.

Sipas informatave të fundit që i kam marrë, shtoi Mickoski, është se janë dhënë rreth 1 milion e dyqind mijë dokumente personale në këtë moment.

“Mbeten diku rreth një milion e treqind mijë, për shkak se gjithsej janë dhënë 2,5 milionë dokumente personale që duhet të ndërrohen. Nga ato një milion e treqind mijë që kanë mbetur, vetëm për fotografim, nëse merret parasysh se në ditë ka katër mijë kërkesa, janë të nevojshme, përafërsisht, më shumë se një vit. Kështu që, është e pamundur që kjo të arrihet deri në shkurt. Informatat thonë se kemi rreth tridhjetë mijë fletparaqitje për momentin në MPB për dhënie të dokumenteve personale dhe dhjetë mijë dygjuhësore në gjuhën shqipe, që do të thotë se kjo është e mjaftueshme vetëm të mbulohet ajo që deri tani si kërkesë ka mbërritur në MPB”, tha Mickoski, duke shtuar se i bën thirrje MPB-së dhe kompetentëve që të prononcohen për këtë çështje.

Ai shtoi se furnizim i ri do të mbërrijë diku në mars.

Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë duke folur për procesin e ndryshimit të dokumenteve personale për shkak të ndryshimit të emrit kushtetues të shtetit, propozoi vazhdimin e afatit për nxjerrjen e tyre.

“Kështu që, qëndroj në atë që e thash para disa ditëve, se nevojiten vite që të përfundojë ky proces, assesi nuk mund të përfundojë deri në shkurt të këtij viti. Gjegjësisht, për disa javë nga sot”, tha Mickoski.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.