Pendarovski: Qeveria të prolongojë ligjin për dokumentet personale deri në shtator, nuk ka kuptim të vazhdohet me këtë kaos

Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë për “Tema e ditës” në televizionin Sitel, duke folur për procesin e ndryshimit të dokumenteve personale për shkak të ndryshimit të emrit kushtetues të shtetit, propozoi vazhdimin e afatit për nxjerrjen e tyre, transmeton Portalb.mk.

“Së pari është poshtërim i turpshëm i qytetarëve. Dhe i panevojshëm. Së dyti, këtë ua propozova të paktën dy ministrave në Qeverinë e Maqedonisë – me një ndërhyrje të shpejtë në dy ligje – ligjin për letërnjoftimet dhe ligjin për dokumentet e udhëtimit, dhe nëse është e nevojshme ligji për sigurinë në komunikacionin rrugor, kjo bëhet në një pasdite, e dimë që mund të bëhet në një pasdite, nuk ka pse të jetë me flamur evropian. Do t’i ndryshojmë ato dy ligje, do ta zgjasim afatin, në vend që shkurt, të jetë shtator-tetor, paraprakisht do t’i informojmë grekët se nuk kemi ndërmend të ikim nga obligimet nga Marrëveshja e Prespës”, ​​tha presidenti Pendarovski.

Në Maqedoninë e Veriut vetëm gjysma e qytetarëve kanë arritur të pajisen me dokumentet e reja personale, në të cilat figuron emri i ri i shtetit. Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se deri më 25 dhjetor të vitit që lam pas ka dorëzuar 1 milion e 151 mijë e 628 pasaporta të reja, 993 mijë e 966 letërnjoftime dhe 525 mijë e 225 patentë shoferi kundrejt 1 milion e 836 mijë qytetarëve shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.