Viktima e parë e bullizmit në Koçan, një fëmijë gjashtë vjeç e zhveshën dhe e filmuan në zhveshtoren e shkollës
Një fëmijë gjashtë vjeç e gjysmë është sulmuar fizikisht, zhveshur dhe filmuar me një orë inteligjente në dhomën e zhveshjes së një salle sportive në një shkollë fillore në Koçan. Rastin e ka denoncuar babai i fëmijës, 42-vjeçar, banor i Koçanit, thuhet në buletinin policor. Në të thuhet se sulmin, sipas deklaratës së babait, e kanë kryer fëmijë më të mëdhenj, transmeton Portalb.mk.
Për rastin është njoftuar prokurori publik dhe Qendra për Punë Sociale, ndërsa policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Dhuna mes bashkëmoshatarëve mbetet problem serioz në shkolla. Nga fillimi i vitit 2026 deri në qershor janë regjistruar 93 incidente në 64 shkolla, ose afërsisht një rast çdo dy ditë.
Alarmante janë edhe rastet në të cilat është përdorur armë.
Viti shkollor në shtator filloi me sulmin ndaj një 13-vjeçari nga Çairi i Shkupit, i cili u godit me thikë. Përleshja ndodhi më 31 gusht mes djemve të moshës 13 deri në 19 vjeç, ku u lënduan tre persona. Në incident u përdorën thika, shufra metalike dhe shkopinj bejsbolli. Në maj, një nxënës 15-vjeçar u godit me një send të mprehtë në një shkollë në Çento, ndërsa në korrik një 12-vjeçar u sulmua dhe u godit me thikë në Shuto Orizare.
Të dhënat e UNICEF-it tregojnë se problemi është shumë më i madh. Sipas tyre, 23 përqind e të rinjve të moshës 13 deri në 15 vjeç kanë deklaruar se janë keqtrajtuar nga bashkëmoshatarët gjatë muajve të fundit.
Në procedurë janë ndryshime të reja ligjore, me të cilat parashikohen sanksione për prindërit, fëmijët e të cilëve kryejnë vepra të dhunshme. Qëllimi i këtyre ndryshimeve, siç deklaroi së fundmi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, është krijimi i një mjedisi të sigurt shkollor, pasi gjatë periudhës së fundit opinioni publik ka qenë dëshmitar i disa rasteve të dhunës mes bashkëmoshatarëve, ndër të cilat rasti i fundit në shkollën fillore “25 Maji” në Çento, ku një nxënës 15-vjeçar u lëndua me një send të mprehtë.
- LEXO: RMV, Janevska paralajmëroi sistem të qëndrueshëm kundër dhunës mes bashkëmoshatarëve
- LEXO: Nga viktimë në autor: Si po dështon sistemi t’i mbrojë fëmijët nga delikuenca në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Një në çdo 10 fëmijë nga 12 deri në 17 vjeç në RMV është ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual