Gjashtë gjykata kushtetuese të Ballkanit miratuan deklaratë të përbashkët për rritjen e besimit në gjykata
Gjashtë gjykata kushtetuese nga shtetet e Ballkanit, anëtare të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit (BCCF), miratuan njëzëri Deklaratën e Ohrit gjatë takimit të katërt vjetor, i cili u mbajt në Ohër, transmeton Portalb.mk.
Qëllimi i Deklaratës është përcaktimi i udhëzimeve të përbashkëta për forcimin e pavarësisë, transparencës dhe efikasitetit të gjykatave kushtetuese, rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësinë kushtetuese, si dhe përdorimin e përgjegjshëm të teknologjive moderne dhe inteligjencës artificiale në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Anëtare të plota të Forumit janë gjykatat kushtetuese të Maqedonisë, Shqipërisë, Bullgarisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Turqisë. Në takimin vjetor morën pjesë edhe përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, e cila ka statusin e vëzhguesit në Forum, si dhe përfaqësues të gjykatave nga Evropa, Azia dhe Afrika, institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare gjyqësore.
Në Deklaratë theksohet se besimi i publikut është parakusht themelor për autoritetin dhe legjitimitetin e gjykatave kushtetuese dhe ndërtohet përmes vendimmarrjes së pavarur, të paanshme dhe profesionale, si dhe vendimeve të argumentuara mirë, të bazuara në Kushtetutë.
Rëndësi e veçantë në Deklaratën e Ohrit i kushtohet përdorimit të inteligjencës artificiale në drejtësinë kushtetuese.
Gjykatat kushtetuese pajtohen se qasja ndaj teknologjive të reja duhet të jetë e hapur, por e kujdesshme, duke pasur parasysh rreziqet ligjore, etike dhe organizative që lidhen me përdorimin e tyre dhe ndikimin që mund të kenë në të drejtat e qytetarëve.
Inteligjenca artificiale mund të kontribuojë në përpunimin më efikas të lëndëve, por nuk duhet ta zëvendësojë analizën e pavarur gjyqësore, arsyetimin juridik dhe vendimmarrjen e gjyqtarëve kushtetues.