RMV, Janevska paralajmëroi sistem të qëndrueshëm kundër dhunës mes bashkëmoshatarëve

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, njoftoi vendosjen e një sistemi të qëndrueshëm për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve, përmes aktiviteteve të vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, shkruan Portalb.mk.

Janevska rikujtoi gjithashtu se Qeveria deri më tani ka ndërmarrë disa projekte dhe ndryshime ligjore, si dhe ndryshime në shkolla, me qëllim parandalimin dhe sanksionimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, paralajmëroi një qasje afatgjate dhe sistematike për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve. Janevska njoftoi masa konkrete, ndryshime ligjore dhe përgjegjësi edhe për prindërit e fëmijëve që përsërisin dhunën në shkolla. Në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit synohet krijimi i një sistemi të qëndrueshëm që do të parandalojë dhe trajtojë në mënyrë të vazhdueshme këtë dukuri.

 “Ju e dini se ne kemi parashikuar jashtëzakonisht shumë aktivitete për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve, gjë që deri më tani nuk ka qenë kështu. Kjo është Qeveria e parë që i ka kushtuar kaq shumë vëmendje dhunës mes bashkëmoshatarëve. Kemi ndërmarrë projekte dhe ndryshime ligjore. Kemi bërë ndryshime në shkolla sa i përket orarit të mësuesve, kujdesit, madje edhe dënime për ata prindër, fëmijët e të cilëve përsërisin dhunën mes bashkëmoshatarëve. aktualisht bisedimet me Qytetin e Shkupit po zhvillohen në nivel të shërbimeve, ndërsa më tej do të bisedohet edhe me kryetarin e qytetit.Unë thashë se këto do të jenë projekte të vazhdueshme, në mënyrë që të mos jenë vetëm projekte për hir të projektit, por të vendoset një sistem i qëndrueshëm që do të veprojë në mënyrë të vazhdueshme për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve”, tha Janevska.

Sa janë të gatshme komunat e RMV-së të marrin masa?

Portalb.mk, ka realizuar një seri shkrimesh lidhur me dhunën mes bashkëmoshatarëve, duke kontaktuar komunat për të parë se çfarë masash kanë ndërmarrë dhe në çfarë faze janë në përballjen me këtë fenomen. Komunat kanë shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar në parandalimin e dhunës, por një pjesë e madhe e tyre kanë theksuar nevojën për mbështetje nga Qeveria, veçanërisht për sigurimin e burimeve dhe mekanizmave të nevojshëm për përballjen me këtë problem.

Sipas statistikave, rreth 50 raste të dhunës mes bashkëmoshatarëve janë raportuar mesatarisht çdo vit në shkollat e vendit gjatë tre viteve të fundit shkollore, ndërsa institucionet kanë paralajmëruar masa të reja për parandalimin e këtij fenomeni.

Kujtojmë se rastet e dhunës mes të rinjve në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rritje gjatë periudhës së fundit, duke nxitur reagime të institucioneve. Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për këtë problem.

Ndryshe, Partia Liberal-Demokrate, ka paralajmëruar nismë për krijimin e qendrave familjare në të gjitha komunat e vendit, me qëllim ofrimin e mbështetjes profesionale për familjet dhe të rinjtë, si dhe parandalimin dhe trajtimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve. Sipas partisë, në komunat që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme financiare, mbështetja duhet të sigurohet nga pushteti qendror. Por, kjo nismë ende nuk është dorëzuar në Kuvend dhe pritet të bëhet së shpejti.