Avionët luftarakë suedezë dhe finlandezë kapën një grup avionësh ushtarakë rusë

Finlanda dhe Suedia njoftuan se dërguan avionë luftarakë për të kapur dhe identifikuar avionë ushtarakë rusë në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Gjirin e Finlandës, në operacionin e parë të përbashkët të këtij lloji mes dy vendeve nordike, transmeton Reuters.

Rajoni i Baltikut, pjesë e të cilit është edhe Gjiri i Finlandës, është në gjendje gatishmërie të shtuar pas incidenteve që lidhen me ndërprerjet e gazsjellësve, shkeljet e hapësirës ajrore dhe vëzhgimet e dronëve pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se operacioni, i cili u zhvillua të enjten, tregoi se i ashtuquajturi bashkëpunim për reagim të shpejtë mund të monitorojë dhe mbrojë hapësirën ajrore të të dyja vendeve.

“Ky është një shprehje konkrete e gatishmërisë dhe besimit që kemi ndërtuar së bashku – dhe një shprehje e fuqisë së bashkëpunimit nordik, nordiko-baltik dhe më të gjerë të NATO-s në pjesën tonë të botës”, shkroi Kristersson në një postim në rrjetin social X.

“Deti Baltik nuk ka qenë kurrë më i cenueshëm se tani – por gjithashtu nuk ka qenë kurrë më i mbrojtur se tani”, tha ai.

Avionët e të dyja forcave ajrore gjetën dhe identifikuan një grup avionësh rusë, përfshirë një avion transporti dhe disa avionë luftarakë, njoftuan Forcat Ajrore finlandeze.

Finlanda dhe Suedia iu bashkuan NATO-s pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, duke hequr dorë nga politika e tyre shumëvjeçare e mosangazhimit. Fqinjët e tyre nordikë, Norvegjia, Islanda dhe Danimarka, tashmë ishin anëtare të Aleancës Atlantike, ashtu si edhe tri republikat baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania.