Një në çdo 10 fëmijë nga 12 deri në 17 vjeç në RMV është ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual
Nga një deri në 10 fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç, gjatë një viti në vend, janë ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të lehtësuar përmes teknologjisë. Në nivel kombëtar, kjo përfaqëson 12.000 fëmijë, tregon raporti me rezultatet e hulumtimit „Disrupting Harm“, i cili u prezantua sot, transmeton Portalb.mk.
Prej tyre, 48 përqind janë ekspozuar ndaj më shumë se një forme të abuzimit ose shfrytëzimit.
Sipas të dhënave, në 78 përqind të rasteve kryerësi ka qenë person i njohur për fëmijën, ndërsa vetëm në pesë përqind të rasteve kryerësi ka qenë i panjohur për fëmijën. Në këto raste, në mënyrë të barabartë janë prekur edhe djemtë edhe vajzat.
Hulumtimi tregon se në 57 përqind të rasteve kryerësit kanë qenë persona të rritur, kundrejt 22 përqind të rasteve ku kanë qenë të përfshirë bashkëmoshatarë.
Në 39 përqind të rasteve ka qenë i përfshirë partneri aktual ose ish-partneri intim, apo një person ndaj të cilit fëmija kishte ndjenja simpatie, ndërsa në 27 përqind ka qenë i përfshirë një anëtar i familjes.
Në 52 përqind të rasteve janë përfshirë platformat e mediave sociale, ndërsa 30 përqind kanë ndodhur përmes platformave të lojërave online. Platformat më të shpeshta të raportuara kanë qenë Instagrami – 76 përqind, Snapchat – 55 përqind, TikTok – 51 përqind, WhatsApp – 40 përqind, Facebook – 34 përqind, YouTube – 29 përqind dhe X – 21 përqind.
Forma më e shpeshtë ka qenë ekspozimi i fëmijëve ndaj përmbajtjeve seksuale pa pëlqimin e tyre, ndërsa një formë tjetër ka përfshirë kërkesat që fëmijët të shpërndajnë fotografi ose video në të cilat shfaqen pjesët e tyre intime.
Fëmijët e ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të lehtësuar përmes teknologjisë kanë pasur 11 herë më shumë gjasa të vetëdëmtohen dhe 12 herë më shumë gjasa të kenë mendime dhe sjellje vetëvrasëse, si dhe përjetojnë nivele dukshëm më të larta të ankthit.
„Fëmijët e prekur shpesh kanë përjetuar turp, humbje të kontrollit, vështirësi në frymëmarrje, stres dhe ankth. Edhe pse 88 përqind e fëmijëve ia kanë zbuluar abuzimin dikujt, raportimi te shërbimet formale ka qenë jashtëzakonisht i rrallë: vetëm një përqind kanë raportuar në polici, një përqind në qendrat për punë sociale, ndërsa 0,2 përqind kanë kontaktuar një linjë ndihme“, tregojnë rezultatet e hulumtimit.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, në prezantimin e raportit tha se ai është një hap i rëndësishëm në përpjekjen e përbashkët për të kuptuar dhe trajtuar rreziqet që mjedisi digjital paraqet për më të cenueshmit, për fëmijët.
Raporti, theksoi ai, na ndihmon të kuptojmë gjendjen reale në shoqëri, mënyrën se si të rinjtë sillen online, cilat janë rreziqet më të shpeshta dhe ku institucionet duhet të ndërhyjnë në mënyrë më efikase.
Ai shtoi se MPB-ja vazhdon t’i avancojë kapacitetet e policisë dhe shërbimeve për mbrojtje, t’i forcojë mekanizmat e koordinimit me shërbimet arsimore dhe sociale dhe të mbështesë programe për edukim dhe edukim digjital.
Përfaqësuesja e UNICEF-it, Leslie Miller, tha se raporti, i mbështetur nga Safe Online dhe i zbatuar bashkërisht nga ECPAT International, INTERPOL dhe UNICEF, ndërthur zërat dhe përvojat jetësore të fëmijëve me dëshmi nga familjet dhe profesionistët që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, arsimit, zbatimit të ligjit dhe drejtësisë.
Ajo theksoi se gjetjet janë shumë shqetësuese dhe kërkojnë veprim urgjent, vendimtar dhe të koordinuar nga shoqëria civile, institucionet, sektori privat dhe komunitetet.
„Fatkeqësisht, gjetjet janë thellësisht shqetësuese, duke zbuluar një krizë në mbrojtjen e fëmijëve në epokën digjitale. Ato gjithashtu konfirmojnë se ky nuk është vetëm një problem online: ai është i rrënjosur në mjediset e përditshme të fëmijëve – shpesh duke lëvizur mes hapësirave digjitale dhe fizike“, tha ajo.
Sipas Miller, nga fëmijët nuk mund dhe nuk duhet të pritet që të mbrohen vetë nga abuzimi. Ajo konsideron se përgjegjësia u takon të rriturve, të cilët duhet të parandalojnë dëmin, të reagojnë në mënyrë efikase dhe të krijojnë mjedise të sigurta për fëmijët – si offline, ashtu edhe online.
Gjetjet e këtij hulumtimi, shton ajo, kërkojnë vëmendje kolektive, sepse bëhet fjalë për një krizë të fshehur.
„Hendeku mes përhapjes së këtij fenomeni dhe raportimit tregon se shumica e rasteve mbeten të padukshme për sistemet formale“, tha Miller.
Sipas saj, dëmi është serioz dhe fëmijët e prekur nga kjo formë abuzimi kanë shumë më tepër gjasa të përjetojnë ankth, vetëdëmtim dhe mendime e sjellje vetëvrasëse.
Ajo shton se turpi, stigma, frika nga fajësimi dhe kërcënimet nga kryerësit i pengojnë fëmijët të kërkojnë mbështetje.
„Një përgjigje e koordinuar e Qeverisë është thelbësore. Asnjë ministri nuk mund ta përballojë e vetme këtë sfidë. Mbrojtja e fëmijëve online dhe offline kërkon veprime në arsim, drejtësi, shëndetësi, shërbime sociale, zbatimin e ligjit dhe qeverisjen digjitale. Pas çdo statistike në këtë raport qëndron një fëmijë, besimi i të cilit është shkelur, siguria e të cilit është cenuar dhe mirëqenia e të cilit është në rrezik. Ndërsa shumica e fëmijëve i ndajnë përvojat e tyre me njerëzit më të afërt, shumë pak prej tyre marrin mbrojtjen, mbështetjen dhe drejtësinë që u nevojitet“, shtoi Miller.
Kujtojmë se të dhënat e ofruara nga Ministria e Brendshme (MPB), Qendrat e Punës Sociale, gjykatat, zyrat e prokurorive, institucionet e kujdesit shëndetësor, organizatat e shoqërisë civile, si dhe të dhënat e marra nga Komisioni për kompensimin financiar për viktimat e krimeve të dhunshme, treguan se në gjashtë vjet, në Maqedoni janë regjistruar 604 raste të abuzimit seksual të fëmijëve, më i vogli prej të cilëve është 3 vjeç, tregoi raporti i Avokatit të Popullit, i cili u zbatua si pjesë e projektit “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit”. Këshilltarja Vaska Bajramovska-Mustafa, e cila drejton Departamentin e Avokatit të Popullit për të drejtat e fëmijëve, tha se analiza mbulon periudhën 2020-2025.