Vazhdon edhe sot skriningu mjekësor i popullsisë në Trubarevë
Në Trubarevë, skriningu mjekësor dy-ditor i popullsisë, i kryer nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Klinikën e Pulmonologjisë, do të vazhdojë sot, pas zjarrit që shpërtheu në fabrikën “F-Grupacija”, ku digjeshin mbeturina elektrike dhe elektronike, transmeton Portalb.mk.
Sipas të dhënave fillestare nga terreni, dje në dy pikat u kontrolluan gjithsej 111 persona – 56 persona në pikën 1 dhe 55 persona në pikën 2. Siç u njoftua nga Ministria e Shëndetësisë, pacientët ishin në gjendje të mirë shëndetësore, por 11 persona u zbuluan me acarim dhe irritim në fyt, prandaj u referuan për kontrolle shtesë në Klinikën e Pulmonologjisë.
Kontrolli përfshin ekzaminim klinik, matje të pulsit, saturacionin dhe vlerësim të kapacitetit vital, me qëllim përcaktimin e gjendjes shëndetësore të popullsisë lokale pas zjarrit të madh në Trubarevë më 13 shtator.
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu tha në një paraqitje televizive mbrëmë se qytetarët që po dërgohen për ekzaminime shtesë pulmonare janë të moshuar.
Aliu u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kanë kollë, dhimbje koke dhe gulçim që të paraqiten për skrining.
“Qëllimi është të përfshihen të gjithë qytetarët që mendojnë se duhet t’i nënshtrohen kontrollit ose nëse ndiejnë ndonjë simptomë si kollë, dhimbje koke, gulçim. Do t’u kërkoja këtyre qytetarëve të regjistrohen për kontroll sonte. Është mirë që problemet shëndetësore të zbulohen më herët, në mënyrë që t’i trajtojmë ato”, theksoi Aliu.
Sipas Protokollit, kontrolli duhet të bëhet edhe dy herë, pas tre dhe gjashtë muajsh, për të parë efektin e ndotjes pas zjarrit.
Zjarri në Trubarevë shpërtheu më 13 shtator në objektin e firmës “F-Grupacioni” e cila merret me mbeturina elektronike, u përfshinë edhe dy objekte në të cilët ka pasur sasi e madhe e mbeturinave plastike. Nuk ka të lënduar në zjarr, por atë natë kur ndodhi zjarri në rajonin e Trubarevës janë realizuar 13 intervenime.
Për shkak të zjarrit, mësimi në shkollat fillore “Krum Toshev”, “Njegosh”, “Vera Jocic” dhe “Naum Naumovski Borce” në Gazi Babë u zhvillua online për një javë.
Përndryshe, përqëndimi i grimcave PM10 ditëve të fundit kanë qenë në kufijtë e lejuar.