Të mërkurën dhe të enjten do të bëhet skrining i popullsisë në Trubarevë me ekip pulmonologësh
Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Klinikën Universitare të Pulmonologjisë, nis një skrining dyditor të popullsisë në Trubarevë, i cili do të mbahet të mërkurën dhe të enjten (24 dhe 25 shtator), transmeton Portalb.mk.
“I ftojmë banorët e Trubarevës dhe zonave përreth që të marrin pjesë në skrining. Skriningun do ta kryejnë dy ekipe nga Klinika e Pulmonologjisë me automjete ambulante. Kontrolli është i dedikuar për të gjithë qytetarët e interesuar nga Trubareva dhe zonat përreth, veçanërisht për ata që ndiejnë vështirësi në frymëmarrje ose kanë simptoma që tregojnë për sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Skriningu do të përfshijë: kontroll klinik të plotë, spirometri, EKG dhe kontrolle të tjera të nevojshme.
“Qëllimi ynë është të sigurojmë kujdes shëndetësor të nivelit të lartë për të gjithë qytetarët. Nëse ka nevojë për ekzaminime shtesë, ato do të kryhen ose pacientët do të referohen në Klinikën e Pulmonologjisë”, theksoi drejtori i Klinikës.
Këto aktivitete parandaluese kanë për qëllim përmirësimin e shëndetit të popullsisë për banorët e Trubarevës ku ndodhi zjarri në fabrikën e mbeturinave elektronike.
Zjarri në Trubarevë shpërtheu më 13 shtator në objektin e firmës “F-Grupacioni” e cila merret me mbeturina elektronike, u përfshinë edhe dy objekte në të cilët ka pasur sasi e madhe e mbeturinave plastike. Nuk ka të lënduar në zjarr, por atë natë kur ndodhi zjarri në rajonin e Trubarevës janë realizuar 13 intervenime.
Për shkak të zjarrit, mësimi në shkollat fillore “Krum Toshev”, “Njegosh”, “Vera Jocic” dhe “Naum Naumovski Borce” në Gazi Babë u zhvillua online për një javë.
Përndryshe, përqëndimi i grimcave PM10 ditëve të fundit kanë qenë në kufijtë e lejuar.