Në Gradec u mbajt manifestimi letrar “Për ty, komandant Deralla”
Në prag të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe festave të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” organizoi manifestimin letrar “Për ty, komandant Deralla”, pranë bustit të Mehmet Pashë Derallës në fshatin Gradec të Gostivarit, shkruan Portalb.mk.
Manifestimi u hap nga nënkryetari i shoqatës, Bajramali Selimi, i cili falënderoi të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike për figurat që kontribuuan në çështjen kombëtare shqiptare. Me këtë rast, një delegacion i shoqatës vendosi lule pranë bustit të Mehmet Pashë Derallës, ministrit të parë të Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit.
Të pranishmëve iu drejtua edhe kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum”, Sadije Aliti, e cila vlerësoi kontributin historik të Derallës, duke theksuar se figura dhe vepra e tij duhet të kujtohen e të përcillen ndër breza.
Pjesë qendrore e manifestimit ishte leximi i poezive kushtuar figurës së Mehmet Pashë Derallës dhe vlerave kombëtare. Me krijimet e tyre u paraqitën poetë nga Tetova dhe Gradeci, ndërsa programin e pasuruan edhe nxënësit e shkollës fillore të fshatit Gradec, e cila mban emrin e këtij personaliteti të shquar shqiptar.
Poezi lexuan Adem Abdullahi, Aqif Isaku, Sulejman Mehazi, Merxhan Jakupi, Remzi Saliu, Nebi Vela, Behare Neziri, Luljeta Samiu-Zogu, Muhaxher Haruni, Besime Mahuti, Rami Kamberi, Sadije Aliti dhe Bajramali Selimi. Me interpretime poetike u paraqitën edhe nxënësit Kanita Imeri, Hëna Mustafa dhe Jusra Hajdari.
Mehmet Pashë Deralla ishte një nga personalitetet e rëndësishme ushtarake dhe politike të historisë shqiptare. Ai mori pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe në Kuvendin e Vlorës, ndërsa në vitin 1912 u emërua ministër i parë i Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Shqipërisë, të drejtuar nga Ismail Qemali.