Italia e gjobiti Metën me 805 milionë euro për qasje në fotografitë e përdoruesve pa pëlqimin e tyre
Agjencia italiane për Mbrojtjen e të Dhënave e gjobiti kompaninë amë të Facebook-ut, Meta, me 805 milionë euro për qasje në fotografitë e përdoruesve pa pëlqimin e tyre, raporton The Guardian.
Përmes aplikacionit Facebook për pajisjet Android, Meta kishte hyrë në fotografitë, videot dhe të dhënat e përdoruesve italianë “pa kërkuar pëlqim dhe pa i informuar siç duhet përdoruesit”, thuhet në njoftimin e autoriteteve.
Meta deklaroi se do ta ankimojë vendimin. Zëdhënësi i kompanisë tha se nuk pajtohen me vlerësimin e rregullatorëve “dhe me nivelin joproporcional të gjobës”.
Bëhet fjalë për funksionin e sugjerimeve nga galeria, të prezantuar në vitin 2023, i cili u sugjeron përdoruesve fotografi dhe video nga telefonat e tyre si ide për postime në Facebook.
Agjencia italiane thekson se mënyra e mëparshme e kërkimit të lejes nuk ishte mjaftueshëm e qartë dhe se Meta duhet të sigurojë pëlqim të veçantë për këtë funksion, duke shpjeguar qartë se si përdoret dhe si mund të çaktivizohet.
Hetimi përfshiu rreth 20 milionë përdorues të Android-it në Itali.
Gjoba është ndër më të lartat që autoritetet rregullatore italiane i kanë shqiptuar një kompanie teknologjike.