Udhëheqësit evropianë: Kosova t’i nisë procedurat për Asociacionin, Serbia njohjen de facto

Kosovës i bëhet thirrje për nisje të procedurave për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë që de facto ta njohë shtetësinë e Kosovës, transmeton REL.

Kështu është thënë në një komunikatë të publikuar të premten nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Ata e kanë publikuar këtë komunikatë një ditë pas takimeve që kanë zhvilluar ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, në margjina të samitit të BE-së.

Në këto takime kanë marrë pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në komunikatë, dy vendeve u është bërë thirrje për zbatim të Marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh, për të cilën palët kanë arritur pajtueshmëri në shkurt të këtij viti, por pa nënshkrime.

“Faza e zbatimit duhet të përparojë, ashtu që dy palët t’i kryejnë obligimet në mënyrë paralele, sipas parimit që palët duhet të bëjnë diçka, për të fituar diçka. Fokusi tani është te avancimi drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes, pa parakushte dhe vonesa”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai ka pasur gatishmëri për nënshkrim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve si dhe draftin e prezantuar nga emisarët perëndimorë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, mirëpo Vuçiq nuk e ka pasur të njëjtin disponim.

“Draft statuti që kemi prezantuar dhe e përkrahim plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuara nga palët”.

Dy palëve u është rikujtuar fakti që dështimi për të arritur përparim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, bart rrezikun e humbjes së mundësive të rëndësishme.

Kurti ka thënë të premten, në një konferencë për media, se drafti që i kanë propozuar emisarët perëndimorë më 21 tetor në Prishtinë është shkruar me kujdes dhe në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”.

I pyetur për hollësitë e planit të prezantuar nga emisarët perëndimorë më 21 tetor, Kurti ka thënë se dëshiron ta respektojë kërkesën që dokumenti të mos bëhet publik.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Sipas Kurtit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është penduar për arritjen e pajtueshmërisë për Marrëveshjen që parasheh normalizim marrëdhëniesh, në shkurt të këtij viti. Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Tensionet janë rritur qysh në maj në komunat veriore të Kosovës, pasi serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, që dolën nga zgjedhjet e prillit – të bojkotuara nga serbët.

Më 24 shtator tensionet u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve, ku vdiq polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.