Një polic e tre sulmues të vrarë, gjashtë persona të arrestuar, operacioni në veri të Kosovës vazhdon

Tre sulmues mbetën të vrarë në operacionin e sotëm në Banjskë, ndërsa u arrestuan gjashtë persona, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla. Sipas tij, dy nga të arrestuarit janë “të plagosur, me uniformë dhe të armatosur”, ndërsa katër të tjerë kanë qenë në mbështetje të sulmit me radio-lidhje, transmeton REL.

Duke folur për gazetarët nga pjesa veriore e vendit, Sveçla tha se aksioni në kërkim të sulmuesve të Policisë së Kosovës është duke vazhduar.

Policia e Kosovës, tha ai, ka zbuluar edhe një sasi të madhe armatimi, përfshirë eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada.

“Lirisht mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues tjerë. Do të thotë, përgatitjet ishin që një kohë, në mënyrë masive, që të sulmojnë policinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës dhe seriozisht ta cenojnë integritetit teritorial”, tha Sveçla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.

Kurti ka thënë se polici i vrarë ka qenë rreshter.

Dy tjerët janë jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohen në Prishtinë.

Mjeku kujdestar në Klinikën Torakale ia ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se një pjesëtari të Policisë ia kanë hequr një pjesë të granatës që i ka rënë në dorën e majtë dhe i ka depërtuar deri te pjesa e mushkërisë.

Çfarë ka thënë Policia?

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se rreth orës 02:34 njësitet për reagim të shpejtë e kanë vërejtur se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë janë vendosur dy mjete të rënda kamionë (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi ajo është bllokuar.

“Njësitë e rendit të stacionit policor Zveçan, pas pranimit të informacionit, i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërritur në afërsi të vendit, ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”.

Policia ka thënë se njësitet e saj janë duke u sulmuar kohë pas kohe nga grupe të organizuara dhe të armatosura.

Kryeministri Kurti ka thënë se “kriminelët ekzekutorë” do të dështojnë dhe do të gjykohen.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta prej majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve që vetë i kanë bojkotuar.

Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet për hapat e mëtejmë dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës.

Osmani dënon sulmin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vrasja në veri është “planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe”.

“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”, ka thënë mes tjerash ajo.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që ta dënojnë Serbinë, për siç ka thënë “këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës”.

Shefi i stafit të presidentes, Blerim Vela, ka thënë se “burrat e vegjël të gjelbër” të Serbisë kanë hyrë me mjete të blinduara 15 kilometra brenda territorit të Kosovës.

Sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka nisur një agresion të pashembullt kundër Kosovës, por “ai do të dështojë”.