Kurti në Bruksel: Vetëm nënshkrimi garanton zbatimin e marrëveshjeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me Serbinë, garanton zbatimin e tyre.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, të lëshuar pas një maratonë takimesh që Kurti zhvilloi me udhëheqësit evropianë, të enjten në Bruksel, ai përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por se pala tjetër nuk është, transmeton REL.

“Presidenti i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023”, citohet të ketë thënë Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi mundësinë e takimeve të reja të udhëheqësve evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Disa takime të tilla u zhvilluan më herët në Bruksel, në margjina të një samiti të BE-së.

Ato shihen si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit të armatosur në Banjskë.

“Puna është në vazhdim e sipër. Ndoshta duhet të largohemi nga samiti i BE-së dhe të ulemi sërish me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe të shohim nëse mund të gjejmë ndonjë zgjidhje përmes dialogut. Nuk ka zgjidhje tjetër. Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon përmes këtij dialogu”, u tha Borrell gazetarëve.

Kurti dhe Vuçiq u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Meloni tha se dy udhëheqësve u është kërkuar të bëjnë hapa përpara “në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit”.

“Do të shohim se si do të shkojë dita dhe shpresojmë të bëjmë ndonjë hap përpara”, tha kryeministrja italiane.

Derisa Kurti dhe Vuçiq nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se përgëzon kryeministrin e Kosovës “për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit, si një kuadër për negociatat vijuese”.

“Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht, pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi Rama në platformën X.