Millan Radoiçiq është ndaluar në Serbi

Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Millan Radoiçiqit dhe se të njëjtit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë, transmeton REL.

Sipas njoftimit, Radoiçiq u dërgua në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal.

Aty nuk jepen detaje të tjera.

Më 29 shtator, Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 shtator se autoritetet përgjegjëse të Kosovës, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksionit terrorist” në Banjskë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës konfirmoi për REL-in se ka nisur hetimet për sulmin në Banjskë dhe se, aktualisht, është në proces të mbledhjes së informatave dhe dëshmive në lidhje me këtë rast.