U publikua tenderi për pjesën e fundit të hekurudhës drejt Bullgarisë, periudha e ndërtimit është 5 vjet

Sot në mëngjes në faqen e internetit të BE-së është publikuar tenderi për fazën e tretë të ndërtimit të hekurudhës nga Kumanova deri në kufi me Bullgarinë (Deve Bair), si pjesë e Korridorit 8. Bëhet fjalë për seksionin e tretë nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, ndërsa ndërtimi i dy pjesëve të mbetura nga Kumanova në Beljakovc dhe nga Beljakovca në Kriva Pallankë është ende në proces, transmeton Meta.mk.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 28 Mars 2024, ndërsa afati për ndërtimin e këtij seksioni është 5 vjet. Seksioni nga Kriva Pallanka në Bullgari është 27.5 kilometra i gjatë dhe përfshin 22 tunele me gjatësi totale rreth 9 kilometra dhe 52 ura/viadukte të tjera me gjatësi 5 kilometra. Gjithashtu duhet të ndërtohet stacioni hekurudhor në Kriva Pallankë, si dhe stacioni në fshatin Zhidilovo.

Paratë e nevojshme për ndërtimin e këtij seksioni, mbi 500 milionë euro, tashmë janë siguruar: 175 milionë euro nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 149.2 milionë euro si investim grant nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe 60.2 milionë euro nga programi IPA 2 i BE-së.

Deri më tani nuk ka asnjë projekt tjetër në Maqedoninë e Veriut që të ketë marrë fonde kaq të mëdha nga BE-ja për zbatimin e tij. Por, së bashku me fondet, vazhdimisht ka kritika nga autoritetet evropiane për shpejtësinë e realizimit të hekurudhës drejt Bullgarisë.