Qeveria urgjentisht t’i përkushtohet përfundimit të hekurudhës drejt Bullgarisë, kërkon BE-ja

Të përshpejtohet urgjentisht ndërtimi i Korridorit 8 hekurudhor, me theks të veçantë te shpallja e tenderit për ndërtimin e fazës së tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë, në shtrirjen nga Kriva Pallanka deri në kufirin maqedono-bullgar. Është kjo vetëm një pjesë e rekomandimeve kryesore të Komisionit Evropian (KE) në kapitujt për transportin dhe korridoret trans-evropiane në Raportin e fundit për vitin 2023 për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, transmeton Poralb.mk.

Në Raport thuhet se përgatitjet për shpalljen e dokumentacionit të tenderit për fazën e tretë të ndërtimit të hekurudhës drejt Bullgarisë po vonojnë dukshëm. Njëkohësisht, Komisioni Evropian thekson se ndërtimi i hekurudhës nga Kumanova në Kriva Pallankë ka filluar në nëntor të vitit 2022 me dy kontraktorë të rinj. Megjithatë, nga KE-ja konstatojnë se:

Nevojiten përpjekje të mëtejshme dhe urgjente për ta përshpejtuar progresin në Korridorin hekurudhor 8 dhe pjesëve të tjera prioritare të rrjetit hekurudhor dhe rrugor.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve sqarojnë se do të veprojnë sipas rekomandimit të Komisionit Evropian, përkatësisht shtojnë se tashmë është përgatitur procedura e tenderit për ndërtimin e fazës së tretë të lidhjes hekurudhore me Bullgarinë.

“Ajo është e harmonizuar institucionalisht dhe i është dorëzuar për miratim Delegacionit të Bashkimit Evropian, sepse një pjesë e mjeteve për ndërtimin e kësaj hekurudhe sigurohen përmes komponentit IPA”, thanë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Kritika nga Komisioni Evropian ka edhe për pjesën e ndërtimit të autostradës së Korridorit 8 nga “Bechtel-Enka”, para së gjithash në drejtim të sigurimit të procedurave transparente për prokurimet qeveritare, si dhe për ndryshimet ligjore që u miratuan nga Kuvendi në Maqedoni me flamur evropian, pra me një procedure të shkurtuar, për ta përshpejtuar ndërtimin e pjesëve të autostradës.

“Amendamentet për përshpejtimin e ndërtimit të katër pjesëve të autostradës përgjatë Korridoreve 8 dhe 10-d u miratuan në maj të vitit 2023 duke e përdorur procedurën e shkurtuar “flamuri i BE-së”, edhe pse ky nuk ishte një përdorim i duhur i procedurës. Nga Maqedonia e Veriut pritet që t’i respektojë detyrimet që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, si dhe të ruajë harmonizimin me të drejtën e BE-së gjatë procesit të negociatave për anëtarësim”, thuhet në Raportin për progresin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2023.

Në raportin e KE-së konstatohet se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në fushën e transportit, gjegjësisht se në vitin 2023 është arritur progres i kufizuar në zbatimin e reformave të transportit dhe realizimin e korridoreve trans-evropiane.

Nga Komisioni Evropian thonë se duke pasur parasysh se rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë zbatuar, vitin që vjen vendi duhet të punojë veçanërisht në përforcimin e kapaciteteve operative dhe teknike të të gjitha institucioneve që merren me zhvillimin e rrjetit të korridoreve trans-evropiane. Nga ne si vend kërkohet të mobilizojmë burime për ta zbatuar Marrëveshjen e Komunitetit të Transportit dhe për t’i arritur qëllimet dhe afatet në planet e veprimit.

Komisioni Evropian kritikon se nuk kanë përfunduar procedurat për vendosjen e vendkalimeve të përbashkëta hekurudhore me fqinjët, përfshirë Kosovën, Serbinë dhe Greqinë. Kërkon që të zbatohen dispozitat e protokollit për kalimin e përbashkët kufitar hekurudhor me Kosovën, si dhe të arrihet marrëveshje me Greqinë për krijimin e një kalimi të përbashkët hekurudhor Kremenicë-Neos Kafkasos. Në të njëjtën kohë ka kritika se deri më sot nuk janë rregulluar financat për pikën e përbashkët kufitare me Serbinë në afërsi të Tabanocit.

Lidhur me këto vërejtje nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve sqarojnë se janë nënshkruar të gjitha protokollet për hapjen e pikës së përbashkët kufitare hekurudhore me Kosovën dhe e vetmja gjë që pritet është që Kosova ta përfundojë rikonstruimin e infrastrukturës hekurudhore në territorin e tyre. Për pikëkalimin e përbashkët hekurudhor me Greqinë bëjnë me dije se vendi ynë ka dërguar iniciativë për këtë projekt në Greqi, por që nga ana e tyre ende nuk ka asnjë përgjigje.

“Sa i përket hapjes të një stacioni të përbashkët hekurudhor me Republikën e Serbisë, nga aspekti i protokolleve bilaterale ndërmjet dy vendeve janë nënshkruar të gjitha marrëveshjet, është definuar stacioni i përbashkët hekurudhor në Tabanoc. Është përgatitur projekti për stacionin hekurudhor, është përgatitur edhe projekti për rrugën hyrëse në stacion dhe janë siguruar mjete përmes VBIF në vlerë prej 2.4 milionë euro. Për realizimin e projektit është kërkuar një kredi prej 5 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për të cilën presim përgjigje nga banka”, thonë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Në Raportin për vitin 2023 për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së kërkohen reforma për zbatimin e procesit për liberalizimin e tregut të transportit hekurudhor në vend, ku ekziston monopol shtetëror për transportin e mallrave dhe pasagjerëve.

Në vitin e ardhshëm nga autoritetet maqedonase kërkohet që ta hapin tregun e transportit hekurudhor përmes ndryshimeve në legjislacionin kombëtar, gjegjësisht të lejojnë që edhe operatorët privatë të qarkullojnë nëpër hekurudhat në vend.

Sa i përket kritikave të këtilla nga Komisioni Evropian, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ia hedh fajin Kuvendit të RMV-së. Nga atje thonë se Ligji për reformimin e sistemit hekurudhor tashmë ka kaluar në qeveri në muajin qershor dhe është dorëzuar në Kuvend.

Si një nga rekomandimet kryesore që i jep Komisioni Evropian është edhe miratimi dhe zbatimi i legjislacionit për sistemet inteligjente të transportit (ITS) në rrugët e Maqedonisë.

Megjithatë implementimi i sistemeve inteligjente të transportit po vonon, sidomos në autostradën përgjatë Korridorit 10. Premtimi i fundit i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve është se në vitin 2024 do të vendoset video survejimi, së bashku me sinjalizimin elektronik të komunikacionit dhe segmente të tjera për digjitalizimin e menaxhimit të komunikacionit në seksionin jugor të autostradës së Korridorit 10.

“Sa i përket rregullimit ligjor, ju njoftojmë se është përgatitur një version pune i ligjit për sistemet ITS, përmes të cilit do të zbatohet direktiva e BE-së për sistemet ITS. Është formuar grupi i punës dhe për momentin po bëhet harmonizimi i rregulloreve ligjore”, sqarojnë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 8 nëntor 2023.  Situata me luftën kundër korrupsionit në vend është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.