U mblodhën nënshkrimet edhe për themelimin e një partie tjetër shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut pritet të formohet edhe një parti e re politike shqiptare, për çka janë mbledhur nënshkrimet. Nismëtar për themelimin e kësaj partie është Arjanit Hoxha, transmeton Portalb.mk.

“Përfundoi me sukses grumbullimi i nënshkrimeve për regjistrimin e Partisë Demokratike Evropiane. Faleminderime pafund deri te gjithë themeluesit për angazhimin dhe vullnetin e tyre për të hapur faqe të re të veprimit politik”, deklaroi nismëtari Hoxha.

Hoxha ka filluar aktivitetet për themelimin e partisë në momentet kur dy partitë opozitare, Lëvizja Besa dhe Alternativa, u takuan me Izet Mexhitin. Ky i fundit kishte paralajmëruar themelimin e partisë së re, Lëvizjes Demokratike.

Më 27 korrik, Arijanit Hoxha përmes një konference për media pas distancimit dhe largimit nga Lëvizja BESA bashkë me deputetin Bastri Bajramin, Valon Belën dhe disa anëtarë tjerë për shkak të bashkëpunimit opozitar mes Kasamit, Gashit dhe Izet Mexhitit, paralajmëroi formimin e një partie të re politike.

Kujtojmë se teksa Mexhiti, Gashi dhe Kasami po hidhnin themelet e bllokut opozitar, nënkryetari i Besës, Arjanit Hoxha, përmes një postimi në Facebook shkroi se është distancuar plotësisht nga veprimet politike në të ashtuquajturat “blloku opozitar” sepse, siç deklaroi ai, bartës të kësaj nisme nuk kanë për qëllim rotacionin politik, por thjesht “lavazhin” e figurave politike të cilët jo shumë larg nga sot ishin pikërisht aktorë për mbajtjen gjallë të qeverisjes aktuale dhe parandaluan rotacionin në kampin politik shqiptar.

Edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Besa në Kuvend, Bastri Bajrami, dje deklaroi se do të veprojë si i pavarur në shtëpinë legjëvënëse.

Ndryshe, më 4 gusht nismëtari për themelimin e subjektit të ri politik në Maqedoninë e Veriut, deputeti Izet Mexhiti, ka sqaruar që për një orë janë mbledhur një mijë nënshkrime për themelimin e Lëvizjes Demokratike.