U rrëzua një aeroplan në Serbi, ndërroi jetë një person

Një person ka vdekur nga rrëzimi i një aeroplani shumë të vogël afër Beogradit të enjten, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPBS), raporton REL. Aeroplani u rrëzua pak pas orës 12:00 më 10 gusht, pasi ishte ngritur nga aeroplani “13 Maji” në Zemun Polje.

Aeroporti “13 Maji” gjendet në lagjen Zemun Polje, 10 kilometra në perëndim të qendrës së kryeqytetit serb, Beograd.

Përfaqësuesi i Qendrës Kërkimore për Aksidentet e Trafikut, Nebojsha Petroviq, ka thënë se aeroplani i vogël që u rrëzua afër Beogradit ishte ngritur nga Aeroporti “13 Maji” në Zemun Polje.

Petroviq tha për agjencinë e lajmeve të Serbisë, Beta, se aeroplani ultra i lehtë ishte i regjistruar në Drejtorinë e Aviacionit Civil të Beogradit.

Ai shtoi se përfaqësuesit e qendrës shkuan në vendin e ngjarjes sapo morën informacione për rrëzimin e aeroplanit.