Aktivizohet opozita – u takuan kryeopozitarët Kasami, Gashi e Mexhiti, ndërkohë u paralajmërua përçarje te njëri subjekt
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, dhe deputeti i pavarur, Izet Mexhiti, janë takuar sot për të rritur bashkëpunimin drejt një force të përbashkët opozitare, transmeton Portalb.mk.
Ata raportuan pas takimit për “unifikim të zërit opozitar”, “front të përbashkët opozitar”, “për mundësitë e zgjerimit dhe fuqizimit të frontit opozitar shqiptar”, ashtu që Gashi shtoi që u diskutua edhe për program parazgjedhor, ashtu që “në zgjedhjet e reja qeveri e re”.
Kasami theksoi që ditëve në vijim do të ketë detaje tjera të bashkëpunimit, ndërsa Mexhiti premtoi që “rrugëtimi ynë i sinqertë vazhdon”.
Ndërkohë, anëtari dhe ish-ministri i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha, ka paralajmëroi fraksion te ky subjekt politike, fraksion i cili nuk do të jetë në vijë të njëjtë me politikat e bashkëpunimit opozitar të kryetarit Bilall Kasami. Në këtë fraksion paralajmërohet edhe bashkangjitja e Fadil Zendelit dhe Basri Bajramit.
“Nga sot distancohem plotësisht nga veprimet politike në të ashtuquajturin “bllok opozitar” duke vlerësuar se aktorët kryesor, bartës të kësaj nisme nuk kanë për qëllim rotacionin politik, por thjesht “lavazhin” e figurave politike të cilët jo shumë larg nga sot ishin pikërisht aktorë për mbajtjen gjallë të qeverisjes aktuale dhe parandaluan rotacionin në kampin politik shqiptar”, deklaroi Hoxha, duke paralajmëruar që ditëve në vazhdim do të tregon hapat e mëtutjeshëm.
Ndryshe, pas njoftimit të Izet Mexhitit se me formimin e Lëvizjes së Re do të punojnë në formimin e frontit opozitar shqiptar, filluan edhe aktivitetet fillestare për bashkëpunim me Lëvizjen BESA dhe Alternativën. Deputeti i Fadil Zendeli ditë më parë tha se ka shumë hapësirë për krijimin e frontit opozitar shqiptar, i cili do t’u bënte ballë të gjitha skandaleve si dhe dyshimeve aktuale për punë joligjore të pushtetit.
Deputeti i Alternativës, Hysni Ismaili thekson se ka pasur takim fillestar mes kryetarëve të partive opozitare dhe Izet Mexhitit dhe shton se për momentin po bëhet konsolidimi i parimeve dhe rrugëtimit që do të ndjekin së bashku.
Ndryshe, aktivitetet për themelimin e subjektit të ri politik në Maqedoninë e Veriut i filloi Izet Mexhiti në hapësirat e Komunës së Çairit. Aty ai ishte i shoqëruar ndër të tjera edhe nga deputeti Kastriot Rexhepi, deputetja Merita Koxhaxhiku, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe personalitet tjera.
Pas mbledhjes së mbajtur rreth gjysmë ore, nismëtarët për themelimin e lëvizjes së re, paralajmëruan që më 13 gusht do të themelohet kjo parti, duke mos specifikuar emrin e nismës.