A mund të përmblidhet historia e tërë e një kombi në vetëm tre minuta? A mund ajo histori të transferohet në sfidat globale të kohës sonë poashtu për vetëm tri minuta? Duket si diçka e pamundur, por kënga Zjerm e Shkodrës Elektronike me të cilën Shqipëria këtë vit u paraqit në Eurovizion duket se e ka arritur të pamundurën. Nuk do të hy në analizën e votimit paturpësisht politik të jurisë profesionale, e as në kualitetin e këngëve që paraqiten në Eurovizion gjatë dekadave të fundit. Dua vetëm të reflektoj mbi ndijesinë që krijon kënga Zjerm, atë ndijesi që mu bë obsesion që në momenin e parë që e dëgjova këtë këngë. Sepse festivalet vijnë e shkojnë, fituesit janë ata që janë, por ndijesia që mbetet për një kohë të gjatë në mendjet dhe zemrat tona është ajo që ka rëndësi.
Beatriçe dhe Kolë duken si personazhë që sapo kanë dalë nga librat e Ismail Kadaresë, apo si krijesa mitologjike që janë arratisur nga vargjet e Lahutës së Malcisë. Në këtë botë plot me prototipe uniforme ata të dy janë diçka ndryshe, diçka që tani më është bërë raritet në nënqiellin global. Beatriçen kur e sheh e kupton menjëherë që është shqiptare nga Shkodra. Ajo i ka ato tipare në fytyrë që ta kujtonë pikërisht atë qytet. Beatriçe nuk i ka buzët e fryra si që i kanë pothuajse të gjithë këngëtaret e estradës. Ajo duket aq origjinale dhe autentike sa e kuptojmë sa shumë na paska marë malli për të parë dikë që nuk ka turp të jetë ajo që është. Kola nuk i fsheh tiparet e as mangësitë e veta. Ai nuk pretendon të bëhet dikush që nuk është. Ai është krenar të jetë ai që është dhe këtë e transmeton fare qartë me vetë prezencën e tij në skenë dhe me secilën fjalë që e shqipton.
I kam ndjekur të gjitha paraqitjet publike të kësaj dysheje që më ka lënë pa fjalë dhe me një dëshirë të madhe për t’i dëgjuar si flasin me shkodrançen e tyre të pastër, dhe me fjalët që dalin nga shpirti. Rruga e tyre është rrugë që shqiptarët e kanë përshkuar me shekuj. Ata janë arbreshët e kohës sonë moderne, të arratisur nga vendi i tyre në një kohë kur ne luftonim me veten tonë, të transferuar në tokat e Italisë duke ecur rrugët që shumë bashkëkombas të tyre i kanë ecur. Arbreshët që migruan kohë më parë, sot e kësaj dite e kanë rruajtur gjuhën dhe traditën e tyre, veshjet, këngët e vallet që përbëjnë një senzacon të rrallë dhe një identitet të veçantë edhe në këtë kohë, shekuj më vonë. Këta arbreshët e sotëm, në këtë kohë të globalizmit, kur fëmijët asimilohen nga kulturat e mëdha duke u shkolluar në gjuhë amtare e duke jetuar në kryeqendrat shqiptare, kanë arritur ta ruajnë, ta humbasin herë pas here, e ta rizbulojnë idtentitetin e tyre dhe ta paraqesin nën dritën e realiteteve të reja të krijuara.
Duke promovuar tiparet e tyre të identitetit kombëtar ata shkojnë më tej dhe përshkruajnë përmes gjuhës së Fishtës realitetin e kohës sonë moderne. Ata flasin për sfidat e reja në tekstin e këngës së tyre, për ndotjen e ambientit, për luftërat, jetimët, për lirinë e fjalës, për mirësinë, çiltërsinë por edhe për realitetin e hidhur që mbizotëron. Ata arritën që në gjuhën tonë të përcjellin sfidat me të cilat përballet e gjithë bota, e në ndërkohë përcollën kulturën tonë të zhvilluar ndër shekuj e mileniume. Për vetëm tre minuta, ata përcollën gjithçka qe ne kemi qenë e që jemi bërë. Kjo është një magji e vërtetë.
Ato tre minuta magjike jo vetëm që jehuan e u përhapën si valë koncentrike në gjithë botën duke marë duarktrokitje dhe duke prekur zemrat e publikut milionësh, po njëherit morën lëvdata të shumta nga profesionistë që analizuan notat që këta alternativistë i kanë përdorur në krijimin e tyre dhe mesazhet që ata i përçuan me aq shumë sukses. Njerëzit në shumë shtete të botës arritën ta ndjejnë atë magji dhe ata u vlerësuan shumë lartë nga publiku. Për fat të keq, juritë profesionale të shteteve edhe një herë i dhanë rëndësi politikës para artit dhe nuk arritën ta kapin mesazhin e thellë dhe gjithpërfshirës të kësaj kënge që kumboi kuq e zi por që në vete ngërtheu të gjitha problemet e botës moderne.
Kënga Zjerm është thirrje për mirësi, për solidaritet, për çiltërsi ndaj njëri tjetrit. Këto mund të duken si gjëra të thjeshta që kanë frymëzuar një tekst dhe këngë të mahnitshme. Kërcimi i Beatriçes mund të duket si diçka e thjeshtë që mund ta bëjë gjithkush, recitimi i Kolës mund të duket si diçka e zakonshme. Por në fakt, ato fjalë, lëvizje dhe tinguj të zgjedhur me shumë kujdes përshkruajnë esencën e njerëzimit.
Nuk e di nëse është puna tek ajo nota përfundimtare që sipas teknikëve të muzikës mungon tek përfundimi i këngës dhe e bën këtë këngë të krijojë varshmëri, por për mua, kjo këngë do të mbetet gjatë kohë në kujtesë dhe do t’i kthehem për ta ridëgjuar gjithmonë, me shumë dashuri.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.