Këstet e një borxhi të huaj

Para disa vitesh botova në Portalb shkrimin kushtuar Tajar Zavalanit, mendimtarit mendjendritur nga Manastiri, që admirohej nga brezi i ri. Pajtohesha atëherë dhe pajtohem edhe sot me pikëpamjen e tij se duhet t’i besojmë brezit të ri. Duhet t’i besojmë një brezi që e di çfarë dëshiron, që ka vizion të qartë, që ngulmon t’i realizojë qëllimet e veta, që është i gatshëm të marrë përgjegjësi shoqërore dhe jo vetëm të ndjekë elitat e vjetra.

Zavalani kërkoi nga brezi i ri vetëiniciativë, përgjegjësi shoqërore, kontribut në zhvillimin e vendit, për sa kohë “me kapitalin moral, kulturor e intelektual të brezit të vjetër nuk mund të ecej përpara”, sepse “njeriu pas të dyzetave bëhet vetvetiu konservator” dhe s’mund t’i kuptojë “problemet e kohës dhe dëshirat e rinisë për ndryshim”.

Ai kërkoi nga brezi i ri që të punonte për ngritjen kulturore të kombit, të bëhej avangardë e përparimit të vendit, të punonte me disiplinë, të kishte ide të qarta, vullnet pune, shpirt sakrifice, të flakte nga radhët e veta “frymën e ndotur të kohës së kaluar” dhe “të ngjallte shpirtin e solidaritetit, mistikën e së mirës së përgjithshme, nderimin e emrit shqiptar dhe përbuzjen për ata që i vënë njollë këtij emri”.

Brezi i ri duhej ta krijonte bindjen se ia vlente ngulmimi për një qëllim të lartë, gjegjësisht për lartësimin kulturor; se s’duhej të ishte spektator i heshtur i zhvillimeve shoqërore, e aq më pak të ishte kopje e zbehtë e elitave të vjetra shoqërore, kulturore e politike.

Që t’i arrinte qëllimet, brezi i ri duhej të pajisej me dije të thella; të kishte kurajë morale e ndjenjë përgjegjësie; të kërkonte llogari nga njerëzit me pushtet; si dhe të merrte pjesë në projektet për ndërtimin e një shoqërie sipas modelit perëndimor.

Kur një brez ka kësi synimesh, atëherë duhet ta ndihmojmë nëse na kërkon ndihmë. Nëse vlerëson që kjo ndihmë nuk i nevojitet, atëherë të mos i hidhërohemi e nëse na kritikon për atë që s’kemi bërë, të mos kemi hatërmbetje. Para se ta fajësojmë, duhet të pyesim veten se çfarë kemi bërë për brezin e ri.

E them me keqardhje se brezi i ri paguan këstet e dështimeve tona. Në vend se të kujdesemi ne si brez më i vjetër për ata, duhet ata të kujdesen edhe për ne. Prandaj, në vend që brezit të ri t’i flasim për “të ardhmen e ndritur”, duhet ta dëgjojmë se çfarë të tashmeje dhe të ardhmeje dëshiron.

Brezi i ri është më i hapur ndaj diversiteteve etnike, kulturore, gjuhësore, religjioze apo racore. Fundja, nuk e kthen kokën pas kur flet, nga frika se mos e dëgjon dikush.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.