Habibi, Evropa ecën përpara e ne numërojmë në vend

Raporti i 4 nëntorit nuk flet për përparim të ngadaltë në kapitullin që përfshin shëndetësinë. Ai thotë se nuk ka përparim. Dallimi mes këtyre formulimeve matet me kohën, paratë dhe shëndetin e qytetarëve.

Një vit mund të jetë pak për ta ndryshuar rrënjësisht shëndetësinë. Por mjafton për të treguar nëse po ecën në drejtimin e duhur. Këtë nëntor, Brukseli na dha një përgjigje pa zbukurime.

Në raportin e 4 nëntorit 2026, Komisioni Evropian shkruan për kapitullin 28, mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetin: «Nuk është shënuar përparim».

Jo përparim i ngadaltë. Jo i pamjaftueshëm. Aspak.

Në vitin 2025 kishte konstatuar «njëfarë përparimi», kryesisht në mbrojtjen e konsumatorit. Sivjet mungon edhe ai vlerësim modest. Rekomandimet mbeten.

Ky është vlerësim për kapitullin në tërësi, jo pohim se në çdo spital është ndalur puna. Mjekët dhe infermierët vazhdojnë të punojnë. Por përkushtimi i tyre nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë institucionale.

Raporti kërkon më shumë financim dhe personel, sidomos për zbulimin e hershëm të kancerit. Vëren shpërndarje të pabarabartë të shërbimeve specialistike, largim të personelit nga sektori publik dhe pagesa nga xhepi deri në 42% të shpenzimeve shëndetësore.

Për një vend me sigurim të detyrueshëm shëndetësor, kjo është kambanë alarmi: qytetari është i siguruar, por shpesh paguan përsëri për kujdesin.

Ironikisht, Brukseli po konfirmon mangësitë që kemi trajtuar në gjashtë editorialet e fundit në Portalb: «Fatura e padukshme prej 40 përqind», «Anatomia e pabarazisë shëndetësore», «Kur mjekësia harron», «Eksporti ynë më i shtrenjtë», «Skriningu nuk është: hajde bëje një mamografi» dhe «Uji i ngrohtë është zbuluar moti».

Kësaj radhe ndryshon vetëm ai që e vendos diagnozën: Komisioni Evropian. Simptomat i njohim prej kohësh dhe për to kemi shkruar më parë. Sëmundja e sistemit, ndërkaq, mbetet e njëjtë.

Por pasojat nuk shpërndahen njësoj. Familja që ka mundësi gjen vizitë private. Ajo që mezi e mbyll muajin shtyn kontrollin ose kursen te barnat.

Në artikullin e tij të nëntorit 2026, Michael Marmot thekson se përmirësimet në shëndetësi duhet të jenë të arritshme për të gjithë, jo vetëm për ata që kanë më shumë mundësi ekonomike. Për ne, kjo nënkupton më shumë mbështetje aty ku pengesat janë më të mëdha: në rajonet me mungesë specialistësh, te familjet me të ardhura të ulëta dhe te gratë që mbeten jashtë skriningut. Barazia nuk arrihet duke shpërndarë mekanikisht të njëjtat burime kudo.

Por jo çdo përmirësim kërkon investime të mëdha. Disa kërkojnë organizim dhe llogaridhënie.

Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor mund të publikojnë çdo muaj, sipas rajoneve, kohën e pritjes për ekzaminime, pajisjet funksionale dhe kohën nga dyshimi për kancer deri te diagnoza. Mjafton të fillohet me raportim të njëtrajtshëm nga institucionet.

Kjo përputhet me punën e Margaret Kruk et al., të botuar në The Lancet Global Health, ku autorët argumentojnë se sistemi shëndetësor duhet vlerësuar jo vetëm nga numri i vizitave dhe aparaturave, por nga cilësia e kujdesit, rezultatet shëndetësore dhe besimi i pacientëve. Një mijë ekzaminime nuk dëshmojnë sukses nëse nuk dimë sa pacientë me gjetje të dyshimta morën diagnozën dhe trajtimin në kohë.

Skriningu duhet të kalojë nga fushatat te ftesat individuale, rikujtimet dhe ndjekja e rezultateve. Mund të shfrytëzohen sistemet ekzistuese të informacionit, me regjistra të standardizuar dhe përgjegjësi të qarta. Asnjë grua me mamografi të dyshimtë nuk duhet të humbasë mes ekzaminimit, biopsisë dhe trajtimit.

Oraret e specialistëve mund të bashkërendohen në nivel rajonal dhe konsultat në distancë të përdoren kur janë të përshtatshme. Në analizën e korrikut 2026, OBSH-ja rekomandon për kujdesin parësor në Maqedoninë e Veriut punë ekipore, bashkërendim më të mirë dhe mekanizma pagese që nxisin cilësinë. Ulja e bashkëpagesave për barnat do t’i mbronte më mirë familjet në nevojë.

Komisioni nuk shënon zhvillime të reja as në vlerësimin e teknologjive shëndetësore. Para blerjeve të tjera, duhet një inventar publik: çfarë aparaturash kemi, cilat punojnë dhe sa përdoren. Përurimi zgjat një ditë. Përgjegjësia për funksionimin e tyre zgjat çdo ditë.

Në qershor, marrëveshja EU4Health hapi mundësi financimi. Lajm i mirë. Por mundësia për të konkurruar nuk garanton sigurimin dhe përdorimin e fondeve.

Çdo rekomandim duhet të ketë përgjegjësin, afatin dhe një rezultat të matshëm. Problemet nuk janë krijuar nga një qeveri e vetme. Por asnjë qeveri nuk mund t’i trashëgojë përjetësisht pa marrë përgjegjësi për to.

Vitin tjetër Brukseli do të shkruajë përsëri.

Pyetja nuk është si të marrim një fjali më të mirë në raport, por si t’i sigurojmë qytetarit një vizitë në kohë, një ilaç të përballueshëm dhe një arsye më pak për t’iu druajtur sëmundjes.

Evropa mund të na presë.

Sëmundja jo.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.