Ku po shkon kjo botë, o njerëz?! Çfarë po ndodh me ne?! Si kemi rënë kaq poshtë?!
Si ka mundësi që një fëmijë, një bashkëmoshatar i imi, me duar të vogla që duhej të mbante lapsin… po mban armën?!
Po rritet me urrejtje në vend të dashurisë, me inat në vend të ëndrrave?
A jeni mirë?! A e kuptoni çfarë po ndodh?
Ai do të duhej të ishte në shkollë, jo në ndjekje.
Do të duhej të ishte me top në dorë, jo me armë në xhep.
Do të duhej të ishte duke qeshur me shokët, jo duke bërë plane për t’ia marrë jetën dikujt.
KU JANË PRINDËRIT?!
Ku janë ata që duhet t’i rrisin me dashuri, me edukatë, me përqafim? Apo u mjafton t’u blejnë një telefon dhe t’i lënë të rriten me TikTok, Snapchat e Instagram, derisa një ditë… arma të bëhet më e natyrshme se fjala?
Turp!
Po ju them me gjithë shpirt: TURP!
A e dini sa lehtë është t’i marrësh jetën dikujt?
Një sekondë.
Një goditje.
Edhe mbaron gjithçka.
A e dini sa vite duhen që një prind të mbledhë copat e shpirtit pasi humb fëmijën?
Ai mall nuk shërohet kurrë. Ai shkatërrim nuk rindërtohet më kurrë.
Edhe sa prindër do të digjen nga malli, duke parë një krevat bosh, natë pas nate? Edhe sa motra e vëllezër do të prekin fotografi kujtimesh në vend të përqafimeve? A e dini sa thellë digjet një zemër që ka dashur dikë… dhe nuk mundet më ta shohë, ta përqafojë? Edhe sa fëmijë do t’i shohim të shtrirë në tokë… dhe të themi: “Mjaftë më!”?
Zemra po na vdes. Ndërgjegjja po na vret. E ne… ne po heshtim!
Jo.
Unë nuk dua të hesht. Unë nuk dua t’i trajtoj si lajmet e rradhës. Unë po flas për një bashkëmoshatar, për një jetë që nuk është më! Ai kishte ëndrra, kishte prindër që prisnin ta shohin teksa rritej, kishte një botë përpara vetes… Por ajo botë u vra. U shkel. U zhduk.
Nga kush? Nga një tjetër si ai. Nga një tjetër që, në vend të dashurisë e shpresës, kishte helmin e kësaj bote në zemër.
Ku po shkojmë kështu? A jemi të gjithë fajtorë?
PO!
Çdo herë që s’kemi folur. Çdo herë që kemi kaluar dhunën si “problem i dikujt tjetër”. Çdo herë që kemi heshtur para padrejtësisë.
Zgjohuni, njerëz!
Nuk lind asnjë fëmijë me armë në dorë.
E merr nga kjo shoqëri, nga kjo rrugë.
Unë nuk dua më të humbas asnjë mik. Asnjë bashkëmoshatar. Asnjë jetë. Asnjë buzëqeshje që s’do ta shohim më kurrë.
Nëse këto fjalë nuk janë tronditëse, atëherë ju jeni bërë gur. Megjithatë, ka zëra që nuk do të heshtin, dhimbje që nuk shuhen dhe kujtime që bërtasin përgjithmonë për ata që nuk janë më. Sepse disa mungesa nuk shuhen kurrë, por vetëm mësohemi të jetojmë me dhimbjen e tyre!
Shkruan: Erza Çajani.