Tri dekada pas komunizmit, shembuj të mirë dhe të këqij nga Ballkani Perëndimor

Duke pasur parasysh dinamikën aktuale, dhe me kusht që të mos ketë zhvillime të papritura, Mali i Zi mund t’i bashkohet BE-së deri në vitin 2028.  Shqipëria, bazuar në prirjet aktuale dhe pavarësisht problemeve të brendshme e korrupsionit të rrënjosur thellë, mund të jetë gati pas anëtarësimit të Malit të Zi. Kjo tregon se rajoni, pas anëtarësimit të Sllovenisë (2004) dhe të Kroacisë (2013) në BE, ka ecur përpara me një hapa të qëndrueshëm, ndonëse të ngadaltë, një proces që mund të vlerësohet si një politikë e suksesshme zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor.

Sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian (KE), Mali i Zi po hyn në fazën përfundimtare të integrimit të tij në BE, pasi ka mbyllur 21 nga 33 kapitujt e negociatave.

Sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, vendi mund të nënshkruajë një traktat anëtarësimi që në qershor të vitit 2027 dhe të bëhet anëtari i 28-të në vitin 2028.

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në X ka postuar një njoftim ku thuhet: “Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, më dorëzoi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, i cili rikonfirmon përparimin e vazhdueshëm të vendit tonë në rrugën drejt integrimit evropian.

Raporti njeh përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në avancimin e reformave kyçe dhe nënvizon angazhimin tonë për të arritur objektivin tonë strategjik: anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.”

Raporti vë në pah reformat e ndërmarra dhe nevojën që qeveria të ofrojë hapësirë demokratike për dialog, por thekson se nuk ka vend për dhunë.

“Konfrontimi i ngadalëson reformat dhe vonon përfitimet e anëtarësimit në BE për shqiptarët. Ky është një projekt kombëtar dhe do të ecë përpara vetëm kur të ndërtohet së bashku”, theksoi në X Sofia Moreira de Sousa, ambasadore e BE-së në Shqipëri.

Teksa zyrtarët e BE-së ua kanë paraqitur raportin vendeve kandidate, përfshirë Maqedoninë e Veriut, e cila ka ngecur në reforma thelbësore, duke miratuar një qasje të përgjithshme lidhur me kapitujt dhe grupimet, ia vlen të kujtohen disa detaje të përparimit të Shqipërisë që nga viti 1991, ose pas zgjedhjeve demokratike të vitit 1992.

Shqipëria, e cila doli me një ekonomi të shkatërruar të stilit stalinist, ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në çdo aspekt. Pas zgjedhjeve dhe vendosjes së një sistemi pluralist, më shumë se tri dekada më vonë, Shqipëria është një vend ndryshe.

Pavarësisht fërkimeve politike dhe çështjeve të tjera, si PD-ja ashtu edhe PS-ja kanë pasur anët e tyre të mira dhe të këqija gjatë gjithë procesit të tranzicionit. Nën drejtimin e këtyre partive, në periudha të ndryshme, Shqipëria ka shënuar përparim të madh, por, natyrisht, ka kaluar edhe faza rënieje.

Pavarësisht sfidave, Shqipëria është anëtare e NATO-s, po zhvillon turizmin, bizneset etj., si dhe është vend kandidat për në BE, mundësi që mund të çojë në anëtarësim të plotë vendit rreth vitit 2030 ose më pas.

Nga ana tjetër kemi shembuj negativë në rajon. Është disi e vështirë të shohësh se si shtetet e tjera në rajonin e Ballkanit, të cilat pas vitit 1992 ishin përpara Shqipërisë, tani, në mënyrë tragjike, kanë mbetur pas në çdo aspekt dhe fushë, për shembull, Maqedonia e Veriut, Kosova, etj.

Ende e mbaj mend atë ditë qershori të vitit 1992 kur për herë të parë hyra në Shqipëri, dhe ende nuk mund t’u besoj përmirësimeve të arritura dhe rritjes ekonomike, veçanërisht kur krahasohen me rënien që po përjeton Maqedonia e Veriut.

Nëse dikur kishte shumë shtetas të huaj që merrnin pjesë në misione dhe programe të ndryshme, sot ka mijëra qytetarë të huaj që jetojnë në Shqipëri.

Një mik imi këtu në ShBA, gjatë këtij muaji do të shpërngulet në Shqipëri, në Pogradec. Po ashtu në Shqipëri disa shkojnë për të plotësuar vende pune që qytetarët shqiptarë nuk duan t’i bëjnë, ndërsa të tjerë shkojnë sepse kushtet në Shqipëri janë të mira.

Nuk kam takuar askënd që të mendojë të shpërngulet në Maqedoninë e Veriut, përveç rasteve kur bëhet fjalë për punë të përkohshme qeveritare apo arsye të tjera të ngjashme.

Në kontekstin e raportit të BE-së, mesazhi është se trendet e reformave duhet të vazhdojnë dhe të shërbejnë si shembull për të tjerët, ku proceset kanë ngecur. Shqipëria dhe Mali i Zi janë shembuj të tillë modestë.

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, prezantoi Paketën e Zgjerimit të BE-së për vitin 2026 në Bruksel, më 4 nëntor 2026.

Komisionerja Marta Kos njoftoi përparimin e konsiderueshëm në negociatat për anëtarësim në BE, duke specifikuar Malin e Zi, Shqipërinë, Molldavinë dhe Ukrainën, e duke lënë anësh Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.