Mbrojtja kundër operacioneve kibernetike

Agjencia Evropiane për Sigurinë Kibernetike (AESK-ENISA), është bërë e njohur viteve të fundit. Me sulmet kibernetike nga Rusia, Kina dhe Irani, “AESK”, e ka marrë rolin kryesorë të luftës kundër sulmeve të huaja drejt shteteve të BE-së. Pasi shtetet evropiane kanë një infrastrukturë mjaft të zhvilluar, gjithsesi se janë pjesë e sulmeve kibernetike dhe do të jenë. Armiqtë duke filluar nga Rusia, dhe Kina pa përjashtuar dhe aktorët tjerë jo shtetërorë, janë të interesuar që sulmet të drejtohen në vendet ku infrastruktura është e zhvilluar, dhe ku dëmet mund të jenë të mëdha.

Për të siguruar shtetet anëtare, “AESK”, ka ndërmarrë një varg masash në të gjitha shtetet e BE-së me një perqëndrim të jashtëzakonshëm të burimeve në infrastrukturën kritike. Në një botë të ndërlikuar digjitale, “AESK”, mbështet rritjen e aftësive të sigurisë kibernetike në shumë sektorë, duke lëshuar rekomandime se si të veprojnë shtetet në kohë të sulmeve nga jashtë.

Bazuar në dinamikat aktuale në fushën e luftës kibernetike, “AESK” ka marrë një rol më të gjërë global. Pasi sulmet kibernetike kanë prodhuar një paqendrueshmëri në sistemin global të komunikimit, në dhjetor të 2020-ës, Agjencia e BE-së, publikoi një draft të EUCS-së e cila në gjuhën shqipe ndryshe quhet si (Skema Evropiane e Çertifikimit të Sigurisë Kibernetike për Shërbimet Cloud).

“Skema e EUCS-së synon të përmirësojë kushtet e tregut të brendshëm dhe të rrisë nivelin e sigurisë së një game të gjerë shërbimesh “Cloud”, që ata zbatojnë, duke përfshirë aftësitë e aplikacionit, infrastrukturës dhe platformës.”

Skema e EUCS-së ka një rëndësi të madhe se si veprohet në fushën kibernetike. Fillimisht u krijua si një “skemë çertifikimi vullnetar i sigurisë kibernetike që korporatat dhe institucionet në BE duhet ta përdorin për të demonstruar besueshmërinë e tyre dhe efektivitetin në fushën e mbrojtjes kundër sulmeve hibride nga jashtë”. Ditët e fundit në Bruksel ka nisur një debat për të drejtën për të pasur më pak apo më shumë sovranitet në shërbimet “Cloud”.

Sa më pak autoritet të ketë në shërbimet “Cloud”, aq më shumë vendet e BE-së do të jenë të rrezikuara. Kjo agjenci në krahasim më të tjerat nga SHBA-ja, Kina, Britania e Madhe dhe Rusia ka një histori të shkurtur dhe daton nga viti 2004 kur “AESK” e filloi veprimtarinë si agjencia kryesore e BE-së në fushën kundër sulmeve kibernetike. Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës më 10 mars të vitit 2004 vendosën krijimin e “Agjencisë Evropiane të Rrjetit dhe Sigurisë së Informacionit”, duke e ndryshuar me vonë emrin në “Agjencia e BE-së për Sigurinë Kibernetike”. Selia e “AESK”-së është në Greqi, dhe me disa zyra mbështetëse në Belgjikë. Agjencia përbëhet nga një bord drejtues, një drejtor ekzekutiv, dhe një grup i përhershëm nga jashtë.

Agjencia e BE-së, e ka forcuar misionin me “Aktin e BE-së për Sigurinë Kibernetike”. Edhenjëherë për lexuesit e interesuar duhet ritheksuar se, “AESK”-ja, sipas dokumentit themelues e të bazuar në Traktatin e BE-së “kontribuon në politikën kibernetike të BE-së, rrit besueshmërinë e produkteve me skemat e çertifikimit të sigurisë kibernetike, bashkëpunon me shtetet anëtare të unionit dhe ndihmon në tërësi BE-në dhe vendet jo anëtare të përgatiten për sfidat kibernetike të së nesërmes”. Nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me shtetet anëtare, ndërtimit të kapaciteteve dhe rritjes së ndërgjegjësimit, “AESK”, vazhdon të punojë së bashku me aktorët kryesorë për të forcuar infrastrukturën kritike të BE-së dhe shteteve jo anëtare.

Viteve të fundit në Ballkanin Perëndimor dhe në Maqedoninë e Veriut po bëhen përpjekje për një ndërgjegjësim më të madh ndaj sulmeve kibernetike. Një kohë të gjatë për qeverinë e Maqedonisë së Veriut janë oftuar shërbime mbrojtëse nga kompani që kanë lidhje me Federatën Ruse. Pas anëtarësimit të vendit në NATO, dukshëm janë përmirësuar shërbimet “Cloud” dhe janë marë disa masa mbrojtëse ndaj sulmeve të huaja drejt institucioneve.

Gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, gjasat për sulme ndaj qendrave të votimit dhe KSHZ-së janë të moderuara. Andaj ekspertiza e duhur e ekipeve që duhen të jenë të trajnuara është më se e nevojshme pavarësisht nëse shteti është anëtar i unionit apo jo.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.