Ismet Guri ka ikur nga arresti shtëpiak dhe po kërkohet nga policia me fletëarrest

Për Ismet Gurin, funksionar i BDI-së, i cili paraprakisht ka qenë zëvendësdrejtor i Drejtorisë së të Ardhurave Publike është lëshuar fletarrestim, njofton Gjykata Themelore Penale Shkup, shkruan Portalb.mk

Guri, fillimisht ishte në paraburgim dhe pastaj i ishte përcaktuar arrest shtëpiak për shkak të problemeve shëndetësore, pasi në korrik vitin e kaluar u arrestua së bashku me 15 persona, në mesin e të cilëve kishte biznesmenë dhe inspektorë të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, nën dyshim për shoqërim kriminal dhe mashtrim tatimor për vjedhjen e 840 mijë eurove.

Siç raportuan një pjesë e mediave, Guri nuk është gjetur nga punonjësit e policisë në adresën ku po e mbante arrestin shtëpiak.

Ismet Guri, së bashku me Ejup Alimin, për asgjësimin e materialit zgjedhor, gjithashtu ishin të dënuar në lëndën “Titanik 3”, në të cilën Gjykata, pas një gjykimi të përsëritur vitin e kaluar, i dënoi me burgim nga tre vjet e gjashtë muaj.

Alimi dhe Ghuri për “Titanik 3” u akuzuan në qershor të vitit 2017 për veprën penale të shkatërrimit të materialit zgjedhor – ata u akuzuan për ndryshimin e një pjese të listave zgjedhore në Çair gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2013.

Gjyqi i parë filloi në mars 2018 dhe vendimi u mor pas dy vitesh – më 31 mars 2020. Si të pandehurit ashtu edhe prokuroria, e cila nuk u mjaftua me masën e dënimeve, u ankua për dënimet me burg prej tre vjet e gjysmë.

Pas më shumë se një viti nga vendimi i shkallës së parë, më 28 korrik 2021, Apeli njoftoi se e revokon aktgjykimin dhe e kthen çështjen në rigjykim në Gjykatën Penale dhe Guri dhe Alimi u dënuan sërish me nga tre vjet e gjysmë burg.