Thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në Kumanovë nuk u zbardhën siç pretendon zëvendëskryeministri Izet Mexhiti

Duke komentuar rastin e djeshëm në Kavadar, ku kishim përsëri prezent shpërndarje të gjuhës së urrejtjes, thirrje antishqiptare, në një terren sportiv, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti tha se “individë të papërgjegjshëm do të ballafaqohen me ligjin siç u ballafaquan huliganët në Kumanovë dhe gjithkund tjetër”. Megjithatë, rasti në Kumanovë është pa epilog. Askush nuk është përgjigjur para ligjit, së paku jo deri më sot, shkruan Portalb.mk.

“Individë, ka pasur dhe do të ketë, të papërgjegjshëm, të cilët mundohen të vendosin njollë qeverisë së re. Pajtohemi se kjo nuk është as për së afërmi e as nuk mund të krahasohet me incidentet e burgosjet në të kaluarën. Këto individë të papërgjegjshëm do të ballafaqohen me ligjin siç u ballafaquan huliganët në Kumanovë dhe gjithkund tjetër”, tha zv/kryeministri Mexhiti.

Por, rasti në lidhje me thirrjet raciste në Kumanovë ende nuk është zbardhur, edhe pse ka rreth një muaj që ka ndodhur incidenti.

Ja edhe në mënyrë kronologjike veprimet e institucioneve kompetente dhe dëshmia se ende askush nuk është përgjigjur para ligjit, siç pretendon zv/kryeministri.

Më 3 gusht 2025, në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”.

 5 gusht 2025 Policia dhe Prokuroria thanë se janë thirrë për intervistë zyrtare disa persona përderisa në të njejtën datë ndodhi incidenti në ndeshjen Shkendija-Karabak në arenën “Todor Proeski” në Shkup, kur brohoritja “Ilirida” dhe valëvitja e flamurit “Shqipëri e madhe” nga tifozët shqiptar u cilësua si gjuhë e urrjetjes.

Më 7 gusht 2025, Prokuroria njoftoi se e ka dënuar me kusht dhe dëbuar shtetasin e Gjermanisë që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe”, incident ky që ndodhi pas Kumanovës. Për këtë rast autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës.

Më 8 gusht 2025 për Portalb.mk nga policia thanë se “SPB – Kumanovë po merr masa për të zbardhur rastin”, duke u përgjigjur shkurt kështu nga ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut në pyetjen se deri ku është procedura e identifikimit të fajtorëve për thirrjet nacionaliste dhe raciste në Kumanovë.

Më 18 gusht 2025, sërish morëm përgjigjen e njejtë se policia, “po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.”

25 gusht 2025, nuk ka përgjigje nga autoritetet. Po të njëjtën ditë dëgjohet brohoritja e radhës, shqetësuese, por kësaj radhë në qytetin e Kavadarit.

Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.