Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, kryeparlamentari Gashi: Institucionet duhet t’i gjejnë fajtorët dhe t’i dënojnë
“Institucionet duhet t’i gjejnë fajtorët dhe t’i dënojnë. Le ta dinë njerëzit se nuk mund të ketë thirrje të tilla, sepse siç e pamë shkaktuan shqetësime në publik”. Është ky komenti i kryeparlamentarit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi i pyetur nga Portalb.mk se si e komenton moszbardhjen e rastit të gjuhës së urrejtjes tashmë një muaj, duke e pasur parasysh faktin që ai doli me reagim menjëherë pas thirrjeve anti-shqiptare në një ndeshje sportive në Kumanovë.
Kryeparlamentari Gashi theksoi se terrenet sportive nuk duhet të jenë arenë e betejave politike. Ai e përshëndeti nisjen e procedurës së prokurorisë për zbardhjen e rastit por nuk e komentoi se pse rasti ende nuk ka epilog, por porositi se institucionet kompetente duhet të reagojnë.
“Sipas informacioneve të mia, ndodhi për herë të parë që prokuroria të ngre procedurë për raste të këtilla. Të gjithë ne e dimë se nga vitet e 90-ta terrenet sportive janë fusha për beteja politike. Duhet të reagohet. Porosia ime është se terrenet sportive, duhet t’ua lëmë sportistëve, tifozëve e jo të përcjellim mesazhe politike”, tha Gashi.
Kujtojmë se i pari i kuvendit, Afrim Gashi bashkë me krerë tjerë shtetëror, si: presidentja Gordana Siljanovska- Davkoka dhe kryeministri Hristijan Mickoski kishin dënuar rastin e 3 gushtit 2025 kur në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”.
Këto fyerje u bënë në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetëror.
Sot, kur veçmë jemi në javën e katërt që kur ka ndodhur ngjarja, nuk ka informacion rreth zbardhjes së rastit.
Kronologjia e reagimit institucional
Më 3 gusht 2025, në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”.
Më 5 gusht 2025 Policia dhe Prokuroria thanë se janë thirrë për intervistë zyrtare disa persona përderisa në të njejtën datë ndodhi incidenti në ndeshjen Shkendija-Karabak në arenën “Todor Proeski” në Shkup, kur brohoritja “Ilirida” dhe valëvitja e flamurit “Shqipëri e madhe” nga tifozët shqiptar u cilësua si gjuhë e urrjetjes.
Më 7 gusht 2025, Prokuroria njoftoi se e ka dënuar me kusht dhe dëbuar shtetasin e Gjermanisë që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe”, incident ky që ndodhi pas Kumanovës. Për këtë rast autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës.
Më 8 gusht 2025 për Portalb.mk nga policia thanë se “SPB – Kumanovë po merr masa për të zbardhur rastin”, duke u përgjigjur shkurt kështu nga ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut në pyetjen se deri ku është procedura e identifikimit të fajtorëve për thirrjet nacionaliste dhe raciste në Kumanovë.
Më 18 gusht 2025, sërish morëm përgjigjen e njejtë se policia, “po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.”
Sot 25 gusht 2025, nuk kemi përgjigje nga autoritetet.
Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.
- LEXO: Dy javë pas incidentit, policia ende nuk ka gjetur fajtorët për thirrjet raciste anti-shqiptare në Kumanovë
- LEXO: RMV, urrejtja që nuk nuk shihet e ndëshkohet: nga qindra raste, policia ka vepruar vetëm për 4 në gjysmën e parë të vitit (Infografik)
- LEXO: Përderisa autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës, dënim me kusht dhe dëbim për personin që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe” në Shkup
- LEXO: Heshtja institucionale e ushqen urrejtjen në Maqedoni, nevojiten sanksione të rrepta për thirrjet nacionaliste dhe raciste
- LEXO: Tifozët e Kumanovës me thirrje raciste e gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve në prani të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm