Brohoritje raciste edhe në tribunat e stadiumit në Kavadar, ende pa u zbardhur rasti në Kumanovë

Thirrjet raciste në terrenet sportive në Republikën e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të përsëriten. Rasti i fundit u regjistrua në Kavadar në ndeshjen futbollistike Pelisteri – Shkupi. Njëjtë sikur një muaj më parë në Kumanovë edhe në Kavadar u dëgjua refreni i njohur tashmë “le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket”, shkruan Portalb.mk.

Nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut për rastin në fjalë kanë dalur me reagim.

“Pas raportit të delegatit të ndeshjes KF Pelister – KF Shkupi, Komisioni për ndeshjet e FFM-së e ka dërguar KF Pelister në Komisionin Disiplinor për procedurë të mëtejshme. Raporti ka të bëjë me brohoritje fyese nga disa tifozë në ndeshjen Pelister – Shkupi, të luajtur në kuadër të raundit të 3-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut,” thuhet në kumtesën e FFM-së.

Portalb kërkoi qëndrim edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme për këtë inicident të radhës.

“Më 25.08.2025, nga ora 17:00 deri në orën 19:00, në stadiumin e qytetit në Kavadar, u luajt ndeshje kampionale futbolli midis KF “Pelister” nga Manastiri dhe KF “Shkupi” nga Shkupi. Para dhe gjatë ndeshjes, nuk u regjistruan shkelje të rendit dhe qetësisë publike dhe shkelje të tjera. Pas ndeshjes, kur lojtarët e KF “Pelister” u afruan për t’u përshëndetur me tifozët “Çkembari”, një pjesë e grupit të tifozëve Çkembari kreu një vepër penale sipas Ligjit për Parandalimin e Dhunës dhe Sjelljes së Padenjë në Ndeshjet Sportive duke kënduar këngë që shkaktojnë dhe nxisin urrejtje në baza kombëtare”, kumtoi MPB.

Nga aty MPB njoftuan se policia e Kavadarit po merr masa për të përcaktuar identitetin e autorëve dhe një kallëzim përkatës do të ngritet kundër KF “Pelister”, në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Dhunës dhe Sjelljes së Padenjë në Ndeshjet Sportive.

Për këtë akt, deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim publik nga funksionarët, siç kishte për rastin kur në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë. Ky rast ende nuk është zbardhur.

Kujtojmë se i pari i kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi dje i porositi institucionet kompetentet që t’i dënojnë përgjegjësit e shpërndarjes së urrejtjes.  

“Institucionet duhet t’i gjejnë fajtorët dhe t’i dënojnë. Le ta dinë njerëzit se nuk mund të ketë thirrje të tilla, sepse siç e pamë shkaktuan shqetësime në publik”, tha Gashi duke komentuar vonimin e institucioneve në gjetjen e fajtorëve të cilët kënduan këngë raciste në tribunat e sallës sportive në Kumanovë.  

Kujtojmë se, mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë. 

Kronologjia e reagimit institucional 

Më 3 gusht 2025, në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”.   

 5 gusht 2025 Policia dhe Prokuroria thanë se janë thirrë për intervistë zyrtare disa persona përderisa në të njejtën datë ndodhi incidenti në ndeshjen Shkendija-Karabak në arenën “Todor Proeski” në Shkup, kur brohoritja “Ilirida” dhe valëvitja e flamurit “Shqipëri e madhe” nga tifozët shqiptar u cilësua si gjuhë e urrjetjes.  

Më 7 gusht 2025, Prokuroria njoftoi se e ka dënuar me kusht dhe dëbuar shtetasin e Gjermanisë që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe”, incident ky që ndodhi pas Kumanovës. Për këtë rast autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës.  

Më 8 gusht 2025 për Portalb.mk nga policia thanë se “SPB – Kumanovë po merr masa për të zbardhur rastin”, duke u përgjigjur shkurt kështu nga ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut në pyetjen se deri ku është procedura e identifikimit të fajtorëve për thirrjet nacionaliste dhe raciste në Kumanovë.    

Më 18 gusht 2025, sërish morëm përgjigjen e njejtë se policia, “po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.”  

25 gusht 2025, nuk ka përgjigje nga autoritetet. Po të njëjtën ditë dëgjohet brohoritja e radhës, shqetësuese, por kësaj radhë në qytetin e Kavadarit.