Irfan Ahmeti dhe Borçe Stamenov fitues të çmimit shtetëror “Nënë Tereza” 2025
Doktori Irfan Ahmeti nga Klinika Universitare e Endokrinologjisë dhe Borçe Stamenov nga “Dhuro Kompjuterë” janë fituesit e çmimit shtetëror “Nënë Tereza” për vitin 2025, shkruan Portalb.mk.
Bordi për ndarjen e çmimit shtetëror “Nënë Tereza”, ndau këtë çmim për arritje veçanërisht të rëndësishme me interes për shtetin në fushën e humanizmit dhe solidaritetit njerëzor dhe për inkurajimin, promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillimin e bashkëpunimit, si midis kombeve ashtu edhe midis anëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme.
Irfan Ahmeti foli në emër të fituesve të çmimit i cili tha se me Borçen kanë profesione të ndryshme por i bashkon humanizmi i cili është një urë ndërmjet njerëzve, kulturave dhe bashkësive.
“Më lejoni që në emrin tim dhe të Borçes tju shpreh falenderim për ndarjen e këtij çmimi që për ne është një nder i madh por edhe obligim që në të ardhmen edhe më shumë ta kryejme misionin tonë human. Dhe siç do të thoshte Nënë Tereza: “nuk është me rëndësi sa vepra bëjmë por si i bëjmë ato dhe me sa dashuri i bëjmë. Unë personalisht nuk do të ndalem te kontributi im profesional sepse profesioni im nënkupton veprimtari humane për të cilën e japim edhe betimin. Unë gjithmonë nisem nga parimi “Primumm non nocere”. Pastaj parimi i dytë, “bëje një të mirë dhe harroje që e ke bërë”. Për mua, veprat e mira nuk njohin kufi, ato janë të pakushtëzuara, thjesht bëhen me dashuri dhe harrohen”, tha Ahmeti.

Ahmeti e mbaroi fjalimin me një citat nga Nënë Tereza:
“S’mund të bëjmë gjithë gjëra të mëdha, mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Kurse dashuria fillon me kujdesin e të afërmve tuaj, familjes, fqinjëve”.
Shuma në para e çmimit shtetëror “Nënë Tereza” është pesë (5) rroga mujore mesatare në Republikën e Maqedonisë së Veriut të paguara në tre muajt e fundit të vitit aktual.
