Tifozët e Kumanovës me thirrje raciste e gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve në prani të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm

Është rikthyer gjuha e urrejtjes dhe gjuha ksenofobe e tifozëve maqedonas ndaj shqiptarëve. Në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua në Kumanovë, janë dëgjuar brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, shkruan Portalb.mk.

Ndeshja e bashketbollit Maqedoni - Rumani/ Foto: Profili zyrtar i Hristijan Mickoskit
Ndeshja e bashketbollit Maqedoni – Rumani/ Foto: Profili zyrtar i Hristijan Mickoskit

Këto fyerje u bënë në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili së bashku me kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetëror ishin të pranishëm në sallën ku luhej ndeshja.

Ndeshja e bashketbollit Maqedoni - Rumani/ Foto: Profili zyrtar i Hristijan Mickoskit
Ndeshja e bashketbollit Maqedoni – Rumani/ Foto: Profili zyrtar i Hristijan Mickoskit

Prezenca e kryeminsitrit dhe ministrit të Brendshëm, nuk i ka penguar tifozët që të provokojnë dhe madje të rikhejnë parullat famëkeqe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”.

Asnjëri nga funksionarët maqedonas të pranishëm deri më tani nuk kanë reaguar ndaj këtyre fyerjeve.

Reagime ka pasur vetëm në kampin politik shqiptar.  Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur indinjatë dhe revoltë ndaj këtyre ngjarjeve, duke thënë se, , këto akte janë një alarm i madh për demokracinë, për bashkëjetesën dhe për sigurinë e qytetarëve në këtë vend.

“Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma e gazit për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër” – janë thirrje që na rikthejnë në epoka të errëta të historisë evropiane, dhe të cilat nuk mund të relativizohen, nuk mund të heshtën dhe nuk mund të tolerohen. Ajo që është edhe më shqetësuese dhe më e neveritshme është heshtja e organizatorëve, e Federatës së Basketbollit, e MPB-së, e Komunës së Kumanovës, e Qeverisë dhe e çdo përfaqësuesi të pranishëm në atë tribunë të ndotur nga urrejtja. Nuk pati as reagim institucional, as dënim moral, as distancim politik. Vetëm miratim me heshtje, që për ne është po aq i rëndë sa vetë koret. Ne kërkojmë: Hetim urgjent të incidentit nga MPB dhe Prokuroria Publike, Sanksione ndaj organizatorëve, Reagim zyrtar dhe distancim publik nga Qeveria dhe çdo përfaqësues që ishte prezent, Përfshirjen e faktorit ndërkombëtar për monitorim të përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe nacionalizmit institucional”, kanë reaguar nga BDI.

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka shkruar se, mosreagimi i institucioneve është skandaloz dhe për Aleancën për Shqiptarët kjo përbën bashkëpërgjegjësi morale dhe politike.

“Aleanca për Shqiptarët kërkon reaksion të qartë dhe të prerë nga Qeveria, Federata e Basketbollit dhe organizatorët e ndeshjes, kërkim falje publike ndaj qytetarëve shqiptarë për këtë incident turpërues, hetim të pavarur dhe ndëshkim penal për organizatorët dhe nxitësit e urrejtjes në tribunat sportive, por edhe ndërhyrje nga institucionet ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, BE-në dhe organizatat për të drejtat e njeriut, për të monitoruar përhapjen e gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut. Sporti nuk duhet dhe nuk guxon të përdoret si platformë për urrejtje etnike. Heshtja përballë kësaj urejtjeje nuk është neutralitet – është pajtim me racizmin. Çdo vonesë në reagim është dëshmi se ky shtet nuk është i të gjithëve”, kanë thënë nga ASH.

Nga VLEN kanë thënë se, ajo që u pa dhe u dëgjua në palestrën sportive ishte një pasqyrë shqetësuese e një sjelljeje të papranueshme që nuk përfaqëson shumicën e qytetarëve të këtij vendi, por që nuk duhet as të injorohet, as të tolerohet.

“Sporti duhet të jetë urë lidhëse mes njerëzve, vend i garës së ndershme dhe i respektit të ndërsjellë, dhe jo platformë për përhapjen e urrejtjes apo përçarjes. Fenomenet që nxisin ndasi në baza etnike nuk kanë vend as në sport, as në jetën tonë publike, as në të ardhmen që dëshirojmë të ndërtojmë së bashku. VLEN u bën thirrje institucioneve kompetente, federatave sportive dhe organeve shtetërore që të veprojnë menjëherë, të hetojnë rastin dhe të ndërmarrin masa konkrete ndaj çdo akti që cenon bashkëjetesën dhe multietnicitetin”, kanë thënë nga VLEN.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Arben Fetai, në reagimin e tij këtë sjellje e cilësoi si një “tradhti të turpshme ndaj vlerave të respektit dhe fair play-it që sporti duhet të përfaqësojë”.

“Ksenofobia dhe gjuha e urrejtjes, pavarësisht se nga cila palë vien, nuk kanë vend në stadiumet tona, në shoqërinë tonë, as në të ardhmen tonë të përbashkët. U bëj thirrje tifozëve, autoriteteve sportive dhe organeve drejtuese të ndërmarrin veprime të vendosura për të çrrënjosur këtë turp. Heshtja ose mosveprimi vetëm ushqejnë urrejtjen. Si shtet, ne duhet të promovojmë gjithëpërfshirjen dhe respektin në të gjitha aspektet e jetës, përfshirë sportin. Le të punojmë së bashku për të ndërtuar një Maqedoni të Veriut ku përçarja nuk është opsion dhe ku diversiteti është forca jonë ndërsa uniteti krenaria jonë”, ka shkruar Fetai.