Të shpërngulesh në një qytet të ri

Duke lexuar, më zuri syri një tregim të bukur, që ngjall shumë interes dhe diskutim. Dy njerëz kanë shkuar për vizitë tek një mjeshtër i njohur Zen. Njeriu i parë ka thënë: “Dua të shpërngulem në këtë qytet ku jeton ti. Si është të jetosh këtu?” Mjeshtri e ka pyetur: “Si ishte qyteti ku jetoje ti?” Njeriu i parë është pëgjigjur: “Ishte i tmerrshëm. Të gjithë ishin të neveritshëm. E urreja atë vend.” Mjeshtri përgjigjet: “Qyteti ku jetoj unë është i ngjashëm me qytetin ku jetoje ti. Nuk mendoj që duhet të shpërngulesh”. Njeriu i parë ka shkuar dhe pas tij ka ardhur i dyti. Njeriu i dytë ka thënë: “Dua të shpërngulem në këtë qytet ku jeton ti. Si është të jestosh këtu?” Mjeshtri e ka pyetur: “Si ishte qyteti ku jetoje ti?” Njeriu i dytë është pëgjigjur: “Ishte i mrekullueshëm. Të gjithë ishin shumë të mirë dhe të shoqërueshëm dhe unë isha shumë i lumtur. Por tani dua të bëj një ndryshim”. Mjeshtri ka thënë: “Edhe qyteti ku jetoj unë është i ngjashëm me atë ku ke jetuar ti. Mendoj që do të të pëqejë të jetosh këtu.”

Mësimet për karmën thonë që ajo që i ndodh dikujt është rezultat i veprimeve të tija individuale. Si që thotë edhe Sadhguru në librin e tij “Karma”, njerëzit kanë dëshirë t’ia mveshin rrethinës arsyet e të qenit të palumtur. Njerëzit rrallë e shohin veten si faktor të rëndësishëm që ndikon në lumturinë e tyre. Sa heqë që janë të pakënaqur e fajsojnë dikë tjetër, qytetin, shtetin, madje edhe fatin e tyre të keq dhe i bëjnë të gjithë përgjegjës për pakënaqësitë e tyre në jetë. Sikur lumturia të ishte diçka e rezervuar vetëm për vendet e pasura, me qytete të pastra dhe të rregulluara, do të kishte fare pak njerëz të lumtur në këtë botë, dhe të gjithë do të ishin të koncentruar në vendet e zhvilluara. Por nuk është ashtu. Vendet që në dukje duken të përsosura i kanë problemet e tyre dhe përballen çdo ditë me mungesë të lumturisë edhe pse i kanë të gjitha parakushtet që dikush mendon se janë të nevojshme për të qenë i lumtur. Ja që ka plot njerëz që kanë gjithçka e megjithatë nuk janë të lumtur. Dhe ka plot të tillë që nuk kanë asgjë nga ato që mendohet se të sjellin lumturi, e megjithatë, janë të lumtur sa s’ka më dhe jetojnë një jetë të qetë e të kënaqur.

Si që ka thënë Konfuci, jeta është e thjeshtë, por ne insistojmë që ta bëjmë të komplikuar. Dhe pasi e komplikojmë mirë e mirë atëherë i fajsojmë të gjithë për gjithçka, sërish duke e anashkaluar vetëveten. Homo Sapiensi është vërtet krijesë e çuditshme. Ai ka potencial të arrijë gjëra që qenijet tjera as nuk munden t’i kuptojnë, e nga ana tjetër, ai ka poashtu potencialin të vetëshkatrohen dhe të shkatrojë një planet të tërë pa asnjë arsye racionale. Duke e komplikuar jetën me kërkesat tona të pafund, harrojmë ta jetojmë atë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.